IJF-ja konfirmon tri garat e ardhshme, xhudistët kosovarë me fokus te Lojërat Olimpike

Prishtinë | 29 Gus 2020 | 11:27 | Nga Ekonomia Online

Xhudistët kosovarë po ushtrojnë në një vend të lartë në Turqi, me synimin për të prekur majën në lojërat olimpike “Tokio 2020”.

Mbajtja e Lojërave Olimpike në Tokio të Japonisë më nuk është në dyshim. Kështu të paktën vlerëson trajneri i Kosovës në xhudo, Driton Kuka, shkruan KOHA.

Kuka është i bindur se Olimpiada e Tokios do të mbahet verën tjetër, sidomos për faktin se në Tokio në dhjetor do të mbahet një garë e rëndësishme e xhudos. Kjo, sipas Kukës, është shenjë se autoritetet në Japoni e kanë planin për të organizuar Lojërat Olimpike, që janë shtyrë këtë vit për shkak të pandemisë COVID-19.

Pas paraqitjes së COVID-19 dhe sidomos pas vendimit për shtyrje të Lojërave Olimpike, ka pasur dilema nëse ato do të mund të mbahen vitin e ardhshëm, për kur janë shtyrë zyrtarisht. Raportime për mundësinë e anulimit të Lojërave Olimpike ka pasur kohë pas kohe, ndërsa ka pasur edhe vlerësime se Lojërat nuk mund të mbahen nëse ndërkohë nuk zbulohet vaksina kundër COVID-19.

Sa i takon xhudos, Federata Ndërkombëtare e këtij sportiv (IJF) të premten ka njoftuar se garat do të vazhdojnë prej tetorit, ashtu siç kishte paralajmëruar Driton Kuka ditë më parë. Në fund të tetorit do të organizohet gara “Grand Slam” e Budapestit. Në Budapest xhudistët kosovarë garojnë rregullisht, ndërsa një pjesë e historisë së sportit kosovar është shkruar në këtë vend.

Në Tokio, në dhjetor, do të organizohet gara “Grand Slam”, ndërsa “Mastersi” në Doha të Katarit do të organizohet në fillim të vitit 2021.

Garat e turit botëror të xhudos nuk janë mbajtur prej shkurtit. Xhudistët kosovarë së fundi kanë garuar në Paris, ku Distria Krasniqi e Nora Gjakova fituan medalje.

Të tjera medalje synohen në Budapest në tetor e me shumë mundësi në Tokio, në dhjetor dhe në Doha, në janar. Por fokusi mbetet për Lojërat e Tokios, që duhet të mbahen verën tjetër.

“Është lajm i shkëlqyeshëm ky i IJF-së për vazhdim të garave. Është me shumë rëndësi të kthehemi në gara. Kjo nënkupton që Olimpiada megjithatë do të mbahet. Kur sportet të fillojnë ringjalljen, nuk ka garë që nuk do të mbahet”, ka thënë Kuka të premten për KOHËN.

“Realisht nuk ka më dilema për mbajtje të Olimpiadës. Ajo do të mbahet. Nëse Japonia e organizon ‘Grand Slamin’ në dhjetor, atëherë unë mendoj që Olimpiada mbahet edhe nëse nuk zbulohet vaksina deri atëherë”, ka shtuar Kuka.

Të ngjashme