IJF-ja parashikon vit plot shkëlqim për Majlindën

Prishtinë | 23 Jan 2019 | 09:29 | Nga Ekonomia Online

Federata Ndërkombëtare e Xhudos ka parashikuar se 2019-a do të jetë vit i suksesshëm për kampionen olimpike, Majlinda Kelmendi, shkruan sot Koha Ditore.

Sajti zyrtar i IJF-së ka shkruar për pesë gjërat që duhet shikuar në garën e parë të vitit, atë Grand Slam, që prej të enjtes deri të shtunën mbahet në Tel-Aviv të Izraelit. Në tekst është përfshirë edhe paraqitja e Majlindës.

“Kampionia olimpike Kelmendi e gatshme për sukses më 2019, pasi po i afrohet mbrojtjes së titullit në Tokio 2020”, ka shkruar IJF-ja të martën. Majlinda është njëra prej tri xhudisteve kosovare që do të paraqiten në Tel-Aviv, në garën e parë të vitit në turin botëror të xhudos. Majlinda do të garojë në kategorinë deri 52 kilogramë, Distria Krasniqi në kategorinë deri 48 kilogramë dhe Loriana Kuka në kategorinë deri 78 kilogramë.

27-vjeçarja Kelmendi e nis vitin prej garës së parë, ndërsa këtë mundësi nuk e kishte vjet e po ashtu në disa vite të kaluara, për shkak të lëndimeve. Ajo ka munguar prej gushtit të vitit 2018 deri në tetor të vitit 2018 me lëndim të gjurit. Është kthyer me sukses dhe tash e kërkon shkëlqimin në Tel-Aviv, në vitin e fundit para atij olimpik.

“Kampionia nga Rio 2016 dhe ish-kampionia e botës, Majlinda Kelmendi është kthyer në turin botëror të IJF-së vonë më 2018, me medalje të argjendtë në Grand Slam të Abu Dhabit dhe të artë në Grand Prix të Tashkentit. Kelmendi do të jetë shumë aktive në vitin 2019, pasi është kthyer në gjendjen e duhur fizike dhe kur po i afrohet mbrojtjes së titullit olimpik, shkruan në artikullin e IJF-së, që u kushton gjithnjë rëndësi aktiviteteve të sportistes më të suksesshme shqiptare.

Mungesa e gjatë nga garat ka bërë që Kelmendi të bjerë në ranglistën botërore. Për këtë edhe nuk është bartësja e parë në Tel-Aviv, por gjithsesi është pretendente e madhe për medalje të artë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme