Iniesta: Futbolli, sekondar në këtë situatë pandemie

Prishtinë | 21 Pri 2020 | 10:36 | Nga Ekonomia Online

Spanja është një nga vendet që është goditur më së rëndi nga pandemia COVID-19. Legjenda e futbollit spanjoll Andres Iniesta thotë se e ka të vështirë të shikojë ngjarjet që po ndodhin në Evropë nga shtëpia e tij e re në Japoni.

Iniesta, që iu bashkua klubit japonez Vissel Kobe në vitin 2018 pas një karrierë me shumë trofe te Barcelona, në një intervistë për agjencinë Reuters të martën ka thënë se ndonëse futbolli është sekondar në këtë kohë krize shëndetësore, prapë është frustruese që nuk mund të luhet.

Stinori i futbollit në Japoni është pezulluar gjatë krizës, ndërsa Iniesta gjendet në Kobe me bashkëshorten dhe tre fëmijët e tij.

Iniesta 35-vjeçar, një nga mesfushorët më teknik që ka luajtur ndonjëherë, ka thënë se është e vështirë që gjendet larg familjes së gjerë dhe shoqërisë që i ka në Spanjë.

“Është situatë shumë e vështirë pasi nuk je aty me ta, me të dashurit tuaj”, thotë Iniesta. “Nuk mund të shohësh se çfarë po ndodh në jetën e përditshme atje, kështu që është e vështirë. Por, ne vazhdojmë të flasim në baza ditore, duke shpresuar që situata të bëhet më e mirë”.

Koronavirusi i ri ka infektuar më tepër se 200 mijë njerëz në Spanjë dhe ka shkaktuar mbi 20 mijë vdekje. Japonia ka konfirmuar më tepër se 11 mijë të infektuar dhe mbi 250 vdekje.

Iniesta ka thënë se është sfiduese që duhet të qëndrosh në shtëpi dhe të mos stërvitesh si duhet. Por, ai thotë se po e shijon këtë kohë me familjen e tij të ngushtë.

“Momentalisht, mendoj se futbolli bëhet gjë sekondare”, ka thënë spanjolli, që kishte shënuar golin e fitores për Spanjën në finale të Botërorit 2010 në Afrikën e Jugut. “Gjëja më e rëndësishme tash është jeta e njerëzve, punët e njerëzve. Duhet të shtyhet shoqëria para për të dal nga kjo situatë. Duke thënë këtë, natyrisht se për një futbollist profesionist është e vështirë të mos jesh në gjendje të luash, të mos jesh në gjendje të ndash kohë me tifozët e bashkëlojtarët. Unë mundohem të përqendrohem në gjëra pozitive. Po rri në shtëpi dhe po kaloj më tepër kohë me familjen dhe fëmijët e mi”.

Pas 16 vjetëve karrierë te Barcelona me të cilin klub fitoi nëntë tituj të La Ligas dhe katër herë Ligën e Kampionëve, Iniesta vendosi të pranonte një sfidë të re, duke u transferuar në J.League.

Karriera e tij e bujshme dhe transferimi në Japoni është temë e një dokumentari që po bëhet për jetën e tij, që do të shfaqet nga dita e enjte.

Ndonëse fitoi gati të gjitha në Evropë, Iniesta nuk ka kaluar në Japoni për t’u pensionuar në heshtje.

Ai ka udhëhequr Vissel Koben drejt Kupës së Perandorit në janar dhe është i uritur për më tepër suksese.

Pasi ditët e tij si futbollist të përfundojnë, ai dëshiron të bëjë karrierë si trajner.

“Ndjej se dua të nisi një karrierë si trajner, por të shohim se çfarë do të ndodh. Gjërat po ndryshojnë çdo ditë, kështu që nuk e di se çfarë do të ndodh pas disa viteve. Për tash, po fokusohem në atë që kam para vetes”, ka thënë Iniesta.

Kur futbollit t’i jepet drita jeshile për të rinisur Iniesta dëshiron të vazhdojë aty ku e ka lënë. Të bartë mençurinë e tij te lojtarët e rinj të Vissel Kobes dhe të synojë të fitojë titullin e J.League.

J.League ka njoftuar se më së hershmi në maj do të nisë stinori.

“Dua të ndajë përvojën time me lojtarët e rinj. Mendoj se është edhe përgjegjësia ime dhe është një arsye e madhe pse kam ardhur këtu. Më pëlqen të flas me ta, të ndajë gjëra me ta dhe ata mund të më bëjnë pyetje dhe po mësojnë gjëra”, ka shtuar mesfushori.

Të ngjashme