Interi ka nevojë për mrekulli në Champions

Prishtinë | 30 Nën 2020 | 20:22 | Nga Ekonomia Online

Antonio Conte është në “vijë të zjarrit” me një tjetër dështim në Ligën e Kampionëve derisa ekipi i tij, Interi, është mysafir i Borussia Moenchengladbachut. Shpresat e Interit për t’u kualifikuar në fazën e nokautit janë të varura në “fije të perit”.

Dueli mes Gladbachut dhe Interit zhvillohet të martën prej orës 21:00. Kampioni i trefishtë i Evropës, Interi, është i fundit në Grupin B të Ligës së Kampionëve me dy pikë të tubuara, gjashtë më pak se Borussia që prin në tabelë pas katër ndeshjeve të zhvilluara. Asnjë ekip nga Serie A nuk e ka fituar Championsin që nga vitit 2010, kur Interi i udhëhequr nga Jose Mourinho pati triumfuar në këtë garë. Interit tani i duhet një mrekulli për të shmangur eliminimin e tretë rresht në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve.

Kundër Gladbachut, nënkampion i Kupës së Evropës nga viti 1977, nuk do të ketë vend për gabime dhe tek ekipi italian këtë e kanë parasysh. Muajin e shkuar, në ndeshjen e luajtur në Itali, nuk pati fitues. Takimi u mbyll me rezultatin 2:2, me sulmuesin belg Romelu Lukaku, që shënoi dy gola për ekipin italian. Interi duhet ta fitojë këtë ndeshje dhe pastaj të triumfojë javën e ardhshme kundër Shakhtar Donetskut, ndërsa gjithashtu të shpresojë që edhe rezultati i ndeshjes tjetër t’i shkojnë për shtat.

Për ish-trajnerin e Juventusit dhe Chelseat, Conten, që mori drejtimin e Interit në vitin 2019, bilanci në ndeshjet evropiane ka qenë vazhdimisht zhgënjyes. Conte e shijoi lavdinë evropiane si lojtar me Juventusin, në Ligën e Kampionëve (1995/96). Ndërsa si trajner i kanë munguar rezultatet.

Në fakt, rezultati më i mirë i 51-vjeçarit si trajner është në edicionin 2012/13 të kësaj gare kur arriti në çerekfinale me Juventusin. Në edicionin 2017/18 u eliminua me Chelsean në fazën e nokautit derisa po mundohet të shmangë dështimin e tij të katërt në fazën e grupeve.

“Na pret një lojë e vështirë kundër një ekip të fortë, që po ka rezultate të mira në Ligën e Kampionëve. Ne duhet të bëjmë më të mirën për ta fituar këtë ndeshje pasi nuk duam të dalim nga fusha me kokën ulur. Të gjithë lojtarët e kanë parasysh se kjo ndeshje duhet fituar dhe se kemi ende shpresa për të vazhduar tutje në këtë garë”, është shprehur Conte. “Ne nuk e filluam mirë Ligën e Kampionëve pasi bëmë disa gabime që na kushtuan. Kështu që mënyra e vetme për të mbajtur gjallë edhe më shumë shpresat është të fitojmë kundër Borussias. Nuk është lehtë, por nuk duam ta lëshojmë këtë mundësi nga duart”.

Eliminimi eventual në fazën e grupeve do të ishte i kushtueshëm për Interin, që ditë më parë njoftoi për 102 milionë humbje për edicionin 2019/20, duke fajësuar kryesisht pandeminë e koronavirusit.

Presidenti i klubit, Steven Zhang, megjithatë e përshëndeti Conten si “një udhëheqës të vërtetë”, i cili pritet ta kthejë Interin në ditët e lavdishme.

“Qëllimi është të krijojmë një mentalitet fituesi dhe pastaj të zvogëlojmë hendekun me konkurrentët tanë”, tha Zhang.

Krahas Contes, edhe futbollistët e Interin besojnë në mrekulli – kualifikim në fazën e nokautit të Championsit. Për ndeshjen me Borussian, Interi do të jetë pa mesfushorin Arturo Vidal, i cili u ndëshkua me karton të kuq në ndeshjen e fundit kundër Real Madridit. Në fakt, Interi në dy duelet e fundit të Championsit ka regjistruar dy humbje.

“Për ne kjo do të jetë sikurse ndeshja e fundit që përcakton titullin e kampionit dhe ne duhet patjetër ta fitojmë pasi dëshira dhe vullneti ekzistojnë. E kemi parasysh që nuk do të jetë lehtë, por ne nuk duam që ta mbyllim kaq herët aventurën në Ligën e Kampionëve”, ka thënë qendërmbrojtësi i Interit, Andrea Ranocchia.

Ndërkohë, Gladbachu për këtë ndeshje do të jetë pa mbrojtësin Nico Elvedi, mungesë kjo e konfirmuar edhe nga trajneri Marco Rose. Elvedi, 24-vjeçar, ishte njëri prej lojtarëve kryesorë të Gladbachut dhe ndër mbrojtësit më të dalluar në Bundesligë. Boshllëkun e tij do ta mbulojë Tony Jantschke, i cili e zëvendësoi Elvedin edhe të dielën kundër Schalkes. Në fakt, Elvedi u pushua nga trajneri Rose për ndeshjen me Interin, por në stërvitjen e fundit pësoi një dëmtim muskulor.

“Jemi munduar që ta pushojmë, por në fund nuk u shpërblyem për këtë. Nico ishte në formë të mirë dhe ndaj Interit ka pasur për detyrë ta markojë Romelu Lukakun. Megjithatë, ai do ta humbë këtë ndeshje, por do të zëvendësohet nga Tony”, është shprehur Rose. “Duhet të luajmë patjetër mirë kundër Interit. E kemi parasysh se Interi është i mbështetur për muri dhe patjetër i duhen dy fitore për të avancuar, por ne duam ta dëshmojmë veten në ndeshje të tilla. Do të jetë një ndeshje e vështirë, por kemi besim në forcat tona dhe do të mundohemi të bëjmë më të mirën nga vetja”.

Ndërkohë, ndeshja tjetër e këtij grupi do të jetë ajo ndërmjet Shakhtar Donetskut dhe Real Madridit që zhvillohet prej orës 18:55. Reali është i dyti në grup me shtatë pikë, tri më shumë se Shakhtari që zë vendin e tretë. Madrilenët në këtë ndeshje do të jenë pa mesfushorin Eden Hazard, që u dëmtua në ndeshjen e fundit kampionale kundër Alavesit, të cilën Reali e humbi me rezultatin 2:1. Megjithatë, sulmuesi Karim Benzema do të jetë i gatshëm pasi është rikthyer nga lëndimi. Te Reali me fitore eventuale ndaj ekipit ukrainas do të sigurojmë kalimin në fazën e nokautit.

“Mungesa e Hazardit do të jetë e madhe, por ne duam të avancojnë në fazën tjetër të Ligës së Kampionëve, pavarësisht formës jo të mirë që e kemi treguar këtë edicion. Jemi maksimalisht të motivuar dhe do ta shfrytëzojmë këtë ndeshje për t’u kthyer te rezultatet pozitive, që do të na ndihmonin për pjesën tjetër të këtij sezoni. Edhe pse pësuam humbje nga Alavesi në ndeshjen e fundit, besoj se ekipi është i gatshëm për ta fituar këtë ndeshje. Duhet ta mbajmë ritmin e mirë në Champions, garë në të cilën i kemi fituar dy ndeshjet e fundit”, tha mbrojtësi i Realit,

Të ngjashme