Interit po i kushton 25 mijë euro një minutë e Sanchezit në fushë

Prishtinë | 10 Mar 2020 | 09:53 | Nga Ekonomia Online

Huazimi i Alexis Sanchezit nga Manchester Unitedi te Interi supozohej se do t’i ndihmonte për të ringjallur karrierën e tij, por duket se sulmuesi kilian nuk ka të ardhme as te skuadra italiane. Sanchez edhe te Interi është përballur me lëndimet dhe bazuar në pagën e tij ai po del të jetë futbollisti më i paguar për çdo minutë që e ka luajtur në Serie A.

Bazuar në të gjitha këto, te Interi tashmë kanë marrë vendim të prerë të kthejnë Sanchezin te Manchester Unitedi në fund të këtij edicioni kur edhe i skadon huazimi. Trajneri i Interit, Antonio Conte, nuk është aspak i kënaqur me paraqitjet e tij dhe për këtë arsye nuk do ta transferojë. Mësohet se Interi tashmë ka njoftuar Manchester Unitedin se nuk do të shfrytëzojë opsionin e blerjes së kartonit të Sanchezit në fund të këtij edicioni për 20 milionë euro dëmshpërblim. Kështu që, Sanchez do të kthehet te ekipi anglez me të cilin ka kontratë deri në verën e vitit 2022.

Sanchez deri më tash ka vetëm nëntë paraqitje në Serie A, kurse Interi për huazimin e tij njëvjeçar ka paguar pesë milionë euro. Duke pasur parasysh se Sanchez në total ka 199 minuta lojë në Serie A, një minutë e tij në fushë i ka kushtuar Interit hiç më pak se 25 mijë euro.

“Te Interi kanë vendosur për ta kthyer prapa Sanchezin, pasi sulmuesi nuk i ka bindur me paraqitjet e tij. Interi nuk e ka ndërmend të shpenzojë 20 milionë euro ekstra për një lojtar që ka telashe me lëndimet dhe nuk po rigjen formën e mëparshme”, kanë shkruar të hënën mediumet italiane. “Sanchez aktualisht është lojtari më i shtrenjtë në Serie A, pasi një minutë e tij në fushë i ka kushtuar Interit 25 mijë euro. Sanchez në asnjë ndeshje në Serie A nuk ka qenë titullar te Interi dhe deri më tash i ka munguar trajnerit Antonio Conte në 15 ndeshje kampionale”.

Në fakt Sanchez në të gjitha ndeshjet te Interi këtë edicion ka një gol dhe tri asistime në 15 paraqitje apo 596 minuta lojë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme