Investime të reja në stadiumin e futbollit në Suharekë

Prishtinë | 20 Kor 2016 | 10:47 | Nga

Në vazhdën e investimeve kapitale në sport, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka nënshkruar sot një memorandum bashkëpunimi me Komunën e Suharekës, qëllimi i të cilit është mbështetja financiare për “Renovimin e Stadiumit të futbollit në Suharekë”.

Nëpërmjet këtij Memorandumi, MKRS-ja investon mjete financiare prej 277 mijë eurosh, për vitin 2016 dhe 2017, ndërsa Komuna e Suharekës, merr përsipër të investojë mjete financiare në vlerë prej 173 mijë eurosh, në periudhën 2016-2017.

Me këtë rast, Ministri Kujtim Shala u shpreh se investimet kapitale që po bëhen në bashkëpunim të ngushtë me komunat dhe në këtë fazë të rëndësishme për sportin e Kosovës, janë të domosdoshme dhe ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e cilësisë së sportit të Kosovës, sidomos tani kur jemi pjesë e futbollit ndërkombëtar.

Ndërsa kryetari i Komunës së Suharekës, Sali Asllanaj, e falënderoi ministrin Shala për bashkëpunimin e ngushtë, dhe u shpreh se ky investim kapital në Suharekë është tejet i rëndësishëm për futbollin e Suharekës, sepse krijon kushte më të volitshme për sportistët dhe zhvillimin e garave në kushte më të mira.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme