Ish-lojtarët e 89-shit ankohen se u gjobitën me tri paga

Prishtinë | 21 Kor 2018 | 10:56 | Nga

Futbollistët Arbër Potoku, Lapidar Lladrovci, Fiton Hajdari, Përparim Islami, Bledar Hajdini dhe Argjend Mustafa të premten janë paraqitur me një letër të përbashkët.

Në letrën dërguar mediumeve, kanë akuzuar ish-klubin e tyre Trepça ’89 se nuk ua ka paguar tre muajt e fundit (prill, maj dhe qershor) të edicionit të shkuar, transmeton Koha Ditore.

Në letrën e gjatë të bërë publike thuhet se kanë paraqitur ankesë edhe në Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK). Futbollistët presin mbrojtje nga organet e FFK-së. Dhe siç shkruhet në letër, nëse edhe te FFK-ja nuk gjejnë mbrojtje, atëherë do t’i drejtohen UEFA-s dhe mundësi të fundit e shohin Gjykatën. Por te ish-kampionia e Kosovës ndihen të pastër.

“Nëse nuk ka diçka konkrete nga FFK-ja do t’i drejtohemi edhe UEFA-s, dhe pasi t’i kemi shterur të gjitha mundësitë, si opsion të fundit do t’i drejtohemi Gjykatës. I kemi mbledhur të gjitha faktet e dokumentet e nevojshme për padi. Trepça ’89 nuk ka mundësi të licencohet më për gara evropiane pa u kryer obligimet ndaj nesh, nëse kjo ndodh do të përbënte shkelje të rëndë të statuteve e rregulloreve të UEFA-s!”, thuhet ndër të tjera në letrën e përbashkët të gjashtë futbollistëve.

Në letër thuhet se klubi i ka dënuar me pagën e muajit prill për humbjen ndaj Gjilanit, pastaj me pagën e muajit maj për mosvazhdim të stërvitjeve deri në fund të qershorit”, kurse me pagën e muajit qershor për mosvazhdim të kontratave edhe për një vit.

“Ne, që me angazhimin tonë kontribuuam në suksesin e vitit të kaluar, duke e shpallur Trepçën ’89 kampione dhe duke i dhënë të drejtën të luajë në kualifikime të Ligës së Kampionëve, si ekipi i parë historik, me ç’rast i kemi siguruar të ardhura të majme (rreth 500 mijë euro nga FFK-ja dhe UEFA) nuk e meritojmë këtë trajtim”, thuhet tutje në letër.

Në klubin mitrovicas thonë se futbollistët nuk u janë përmbajtur kontratave.

Kryetari i klubit, Abedin Zeka, ka theksuar se nëse klubi u ka borxh lojtarëve më së miri e tregon gjendja bankare e secilit lojtar.

Të ngjashme