Ish-trajneri i Zvicrës e lartëson Xhakën: I besova kur ishte i ri, kundër Francës ishte kapiten i madh

Prishtinë | 30 Qer 2021 | 13:19 | Nga Ekonomia Online

Ish-trajneri i Zvicrës, Ottmar Hitzfeld, e ka lartësuar Granit Xhakën për paraqitjen e mrekullueshme që ai e bëri në triumfin historik të Zvicrës kundër Francës në Kampionatin Evropian 2020, duke thënë se mesfushori shqiptar ishte një kapiten dhe lider i mirëfilltë në fushë.

Xhaka e frymëzoi Zvicrën drejt arritjes së çerekfinales së parë në historinë e ekipit të vet kombëtar në një turne të madh, në fitoren kundër Francës 5:4 me penallti të hënën në Bukuresht.

Mesfushori i Arsenalit asistoi te goli i barazimit 3:3 në çastet e fundit të ndeshjes së 1/8 së finales, i shënuar nga Mario Gavranovic, dhe ia mbajti një fjalim frymëzues ekipit helvetik para penalltive.

Hitzfeld – i cili ia dha mundësinë Xhakës të debutojë për Zvicrën në moshën 18-vjeçare në një ndeshje kualifikuese për Euro kundër Anglisë në Wembley më 2011 – ka thënë për mediat zvicerane se më së shumti mbeti i kënaqur me paraqitjen e mesfushorit nga Podujeva.

Hitzfeld, i cili e udhëhoqi Zvicrën nga viti 2008 deri më 2014, tha: “Zvicra bëri paraqitje të shkëlqyer kundër Francës. U udhëhoq shumë mirë nga Vladimir Petkovic.

Ai shtoi: “Në veçanti, jam i kënaqur me Granit Xhakën, Haris Seferovicin dhe Ricardo Rodriguezin, të cilit ishin në gjendje të ofronin çaste të veçanta. Unë iu besova këtyre tre lojtarëve kur ata ishin të rinj. Iu besova atyre, talentit dhe potencialit të tyre.”

“Xhaka ishte kapiten i madh kundër Francës, një lider i mirëfilltë i lojës”, tha 72-vjeçari.

Ekipi zviceran u rikthye nga humnera pasi po humbiste me epërsi prej dy golave dhe e barazoi rezultatin në 3:3 në çastet e fundit të takimit të 1/8 së finales në Bukuresht, për ta mposhtur 5:4 në penallti kampionen e Botës, Francën.

Zvicra e kishte humbur mundësinë për ta krijuar një epërsi prej 2:0 në fillim të pjesës së dytë, pasi Ricardo Rodriguez e humbi penalltinë dhe Xhaka, i cili u shpall lojtari i ndeshjes, i nxiti bashkëlojtarët të tij të luftojnë për ta barazuar rezultatin dhe për ta çuar ndeshjen në penallti.

Yann Sommer e mbrojti penalltinë e Kylian Mbappes dhe ia siguroi Zvicrës triumfin 5:4 në penallti. Zvicra do të përballet me Spanjën në çerekfinalen e së premtes.

Të ngjashme