Ish-ylli i Liverpoolit: Ronaldo është lojtari i dytë më i mirë në botë

Prishtinë | 17 Qer 2020 | 17:42 | Nga Ekonomia Online

Ish-mbrojtësi i majtë i Liverpoolit, Jose Enrique, e ka pranuar se Cristiano Ronaldo është kundërshtari më i fortë me të cilin është përballur në Premierligë, por ka nënvizuar se ylli i Juventusit është lojtari i dytë më i mirë në botë pas Lionel Messit.

Enrique, hero kulti në Newcastle United dhe Anfield sa luajti në Angli, është bërë menaxher i futbollistëve pasi është pensionuar nga loja, por jo para se të përballej vetë me disa prej lojtarëve më të mëdhenj në këtë sport.

Prandaj, ai është pyetur se kush ishte lojtari më i miri me të cilin është përballur gjatë karrierës së tij në Premierligë.

“Duhet të them Cristiano – lojtari i dytë më i mirë në botë! E doja Didier Drogban sepse ishte i jashtëzakonshëm. Por zakonisht përballesha me anësorë të djathtë dhe Cristiano ishte i shkëlqyer”, tha Enrique.

Ndërkohë, ai theksoi se Luis Suarez ishte lojtari më i mirë që ka luajtur për Liverpoolin ndonjëherë.

“E mbaj në mend një ndeshje në Anfield, tifozët ia thërrisnin emrin Suarezit për 80 minuta. Kjo nuk po i ndodh në Barcelonë, sepse nuk i ndodh as Messit. Ata ia thërrasin emrin Messit për dy apo tre minuta gjatë një ndeshje pavarësisht se ai është më i miri në histori”, shtoi ai.

Të ngjashme