“Isha i suksesshëm” – thotë boksieri që nga 300 meçe, 279 herë doli humbës

Prishtinë | 24 Maj 2020 | 15:15 | Nga Ekonomia Online

Dy vjet pas kambanës të 300-të dhe të fundit të një meçi të boksit, një tingull shumë i njohur për Kristian Laight, ai nuk ndien asgjë tjetër përveç krenarisë për mënyrën sesi rrodhën gjërat.

Boksieri i cili humbi 279 herë në 300 luftëra dhe asnjëherë nuk e nokautoi asnjërin prej kundërshtarëve të vet, pendohet vetëm për një gjë, si tani i duhet të punojë si shofer për bartjen e materialeve ndërtuese për tualete dhe se kurrë nuk do të mundë ta zëvendësojë “punën më të mirë në botë”.

Në shikim të parë, lista e gjatë me humbje e Laight dhe arsyet pse ai i pësoi ato, janë shumë përbuzëse, por mënyra sesi i shpjegon ai të bën të mendosh.

A e ka shfrytëzuar ai me mençuri dhe me ndershmëri një lëshim në sistem, duke i mbijetuar një sporti i cili mund të jetë mizor, për t’u bërë njëri prej të paktëve që pensionohen pa pendesë?

Boksi mund ta ketë harruar Laightin deri tani, por edhe  ai e ndan ndjesinë e njëjtë.

“Nuk më mungon boksi. Nuk më mungojnë ushtrimet e as luftërat”, tha Laight.

“Por më mungojnë paratë, të jem i sinqertë”, shtoi ai.

“Në dy vjetët e para e doja, por pastaj u bë zanat për mua. Pastaj u bë thjesht një punë”, vazhdoi ai.

“Synimi im ishte t’i mbijetoja luftës deri në fund dhe ta dëgjoja kambanën e fundit. Për mua u bë një gjë e përjavshme. U bë e lehtë për mua. Kurrë nuk kam pasur aftësi të mëdha, por e zbulova se isha i fortë. Mund të duroja rund pas rundi. Më kritikonin, por edhe nëse doja të fitoja, nuk mundja”, rrëfen ai.

“Mua më paguanin për të luftuar kundër boksierëve që ishin më të mirë se unë. U shndërruar në punë dhe në të ardhura mujore për mua. I injoroja kritikat. E dija që kampion bote nuk do të bëhesha”.

“Ishte një punë e shkëlqyer, puna më e mirë që e kam pasur ndonjëherë”, përfundoi ai.

Të ngjashme