Italia e mposht Belgjikën për ta fituar vendin e tretë në Ligën e Kombeve

Prishtinë | 10 Tet 2021 | 17:53 | Nga Ekonomia Online

Italia e ka zënë vendin e tretë në edicionin e dytë të Ligës së Kombeve, pasi e mposhti Belgjikën 2:1 të dielën në ndeshjet vendimtare për këtë pozitë.

Nicolo Barella dhe Domenico Berardi shënuan nga një herë herët në pjesën e dytë në Torino për t’ia fituar vendin e tretë kampiones së Evropës, me golin e Charles de Ketelaere që i shërbeu vetëm për ngushëllim belgëve.

Belgjika luajti pa dy lojtarët kryesorë, Romelu Lukakun dhe Eden Hazard, të cilët kishin lodhje muskulore, ndërkohë Kevin De Bruyne u fut në lojë nga stoli në pjesën e dytë.

Por as Roberto Mancini nuk luajti më formacionin e tij titullar, duke i bërë disa ndryshime të mëdha në ekip për këtë takim.

Pavarësisht mundësive dhe rasteve të krijuara, kampiones së Evropës iu desh të priste deri në fillim të pjesës së dytë për ta thyer akullin.

Barella i kaloi të kaltrit në epërsi në minutën e 46-të, kur e mposhti portierin belg me një goditje të bukur vollei pas një topi të kthyer në vijën e 16 metershit.

Berardi e dyfishoi epërsinë për Italinë vetëm 20 minuta më vonë, duke shënuar nga penalltia pasi Federico Chiesa ishte faulluar në zonë.

Me futjen e De Bruyne në lojë, Belgjika filloi të ringjallej dhe mesfushori i Manchester City e shërbeu të riun Ketelaere duke e nxjerr një kundër një me portierin Gigi Donnarumma, të cilin e mposhti në mes të këmbëve në minutën e 86-të.

Por ishte tepër vonë për skuadrën e Roberto Martinezit për ta shmangur disfatën, e cila megjithatë ishte e pafat pasi e qëlloi shtyllën dy herë paraprakisht në këtë takim.

Italia humbi nga Spanja – e cila ia ndërpreu ecurinë rekorde për ekipet kombëtare prej 37 ndeshjeve pa humbje – në gjysmëfinale, derisa Belgjika u mposht nga Franca në një ndeshje dramatike në gjysmëfinalen tjetër.

Spanja dhe Franca do të luftojnë më vonë për kampionin e ri të Ligës së Kombeve në edicionin 2020/21.

Të ngjashme