ITTF-ja mburret që e pranoi e para Kosovën

Prishtinë | 13 Qer 2020 | 11:32 | Nga Ekonomia Online

Federata Ndërkombëtare e Pingpongut (ITTF) ka lëshuar të premten një komunikatë përmes të cilës ka dënuar racizmin dhe të gjitha format e diskriminimit. ITTF-ja ka thënë se vazhdimisht ka pasur zero tolerancë ndaj racizmit dhe të gjitha formave të diskriminimit.

“Në tabelën e pingpongut të gjithë janë të barabartë”, thuhet në komunikatën e ITTF-së.

Për të forcuar qëndrimin e saj anti-diskriminues, ITTF-ja ka përmendur shembullin e Kosovës, ndër të tjera.

“ITTF-ja ka qenë federata e parë e sporteve olimpike që ka pranuar Kosovën si anëtare, në vitin 2003. Kjo i hapi rrugën pranimit të Kosovës nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar”, thuhet në komunikatën e ITTF-së.

Falë politikës gjithëpërfshirëse të ITTF-së, pingpongistët kosovarë janë pjesë e garave ndërkombëtare që nga viti 2003. Pingpongistët e vendit kanë luajtur në kampionate botërore e evropiane shumë para të tjerëve. Por pranimi shumë i hershëm ndërkombëtar nuk ka pasur ndikimin e pritur sa i takon ngritjes së cilësisë dhe masivitetit.

Pas pingpongut, ishte “ndërkombëtarizuar” hendbolli. Në vitin 2004 Federata e Hendbollit të Kosovës ishte pranuar me të drejta të kufizuara në Federatën Evropiane të Hendbollit. Prej vitit 2005 klubet kosovare kanë luajtur në kupa evropiane.

Ndërkohë është dashur të kaloj edhe një dekadë tjetër për pranimin e Komitetit Olimpik të Kosovës në IOC e rrjedhimisht edhe shumicës së federatave sportive të Kosovës në federatat përkatëse ndërkombëtare. Procesi i ndërkombëtarizimit të sportit tashmë llogaritet gati i përfunduar.

“ITTF-ja ka qenë krenare me pranimin e hershëm të Kosovës, pasi ka treguar se ajo nuk ndikohet nga politika globale e diskriminimit dhe racizmit. Ka përqafuar dhe pranuar çdo anëtar që ka dëshmuar se është organizator i denjë i masivizimit dhe promovimit të sportit të pingpongut në një territor të caktuar gjeografik”, ka thënë për KOHËN të shtunën Jeton Beqiri, kryetar i Federatës së Pingpongut të Kosovës.

Ai ka përmendur shumë raste kur ITTF-ja ka mbrojtur interesat e Kosovës.

“ITTF-ja në vitin 2007 ka anuluar kandidaturën e Serbisë për organizimin e kampionatit botëror të vitit 2009 pasi Serbia nuk kishte lejuar Kosovën të marr pjesë në kampionatin evropian të vitit 2007 të mbajtur në Beograd. Me këtë rast ka mbrojtur të drejtat e Kosovës dhe ka dënuar Serbinë në këtë formë. ITTF-ja ka mbrojtur interesat e Kosovës edhe gjatë pjesëmarrjes në kampionate botërore në Kinë dhe Rusi. Të dy këto shtete ishin obliguar që të mundësojnë përfaqësimin e barabartë të Kosovës. Pingpongistët ishin të parët nga Kosova që në vitin 2010 kanë marrë pjesë në kampionatin botëror në Rusi, me pasaporta të Republikës së Kosovës”, ka shtuar Beqiri.

Sipas tij ndihma e Federatës Ndërkombëtare të Pingpongut ndaj Kosovës ka nisur që në vitin 2000. Përkrahja e bashkëpunimi vazhdon ende.

Të ngjashme