James e Cleveland bëjnë hapin e parë drejt kthimit

Prishtinë | 21 Maj 2018 | 11:50 | Nga

Para se të futej në parket, LeBron James qëndroi në korridor me bashkëlojtarët e tij jashtë zhveshtores së Clevelandit dhe ai goditi në gjoksin e vet me dy duart.

Boston Celtics ishte shënjestra e radhës e tij për të goditur.

James shënoi 27 pikë dhe shtoi 12 asistime, Kevin Love ndihmoi me 14 pikë dhe Cleveland Cavaliersi u duk skuadër krejt tjetër në parket të vet, duke triumfuar 116:86 të shtunën mbrëma në ndeshjen e tretë të serisë finale të plejofit në Konferencës Lindore të NBA-së ndaj Bostonit.

Të mposhtur në dy ndeshjet e para në Boston, basketbollistët e Clevelandit përdorën pushimin treditor për të marrë veten, shkruan AP, transmeton “Koha Ditore”. Me Jamesin në krye, Clevelandi krijoi një epërsi 19 pikëshe në çerek të parë dhe e rriti atë në 30 pikë në pjesën e dytë. Dominoi ndaj Bostonit.

Çdo fjalë për dorëzimin e Clevelandit është e nxituar. Kyle Korver realizoi katër nga 17 trepikëshat e Clevelandit, gjashtë lojtarë të Clevelandit shënuan pikë dyshifrore në fitoren dominante. Por veçanërisht mbresëlënëse ishte loja defensive e skuadrës.

“Ne mbuluam njëri-tjetrin, i detyruam ata të bëjnë pasime shtesë. I detyruam të bënin driblime shtesë. Kemi fluturuar nëpër parket dhe thjesht isha një nga ata që donte të fluturonte në parket”, ka thënë James.

Ndeshja e katërt e serisë luhet të hënën mbrëma në Cleveland po ashtu, para se seria të bartet në Boston.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme