Jordi Cruyff nuk dëshiron ta zëvendësojë Koemanin si trajner të Barcelonës

Prishtinë | 17 Sht 2021 | 16:27 | Nga Ekonomia Online

Në rast se Barcelona dështon të përmirësohet në ndeshjet e radhës, Joan Laporta do ta konsiderojë largimin e Ronald Koemanit, por zëvëndësimi i tij do të jetë një sfidë në vete për presidentin e Barcelonës.

Njeriu që Laporta e dëshiron si zëvendësues të Koemanit është Jordi Cruyff, por holandezi nu dëshiron të zëvendësojë bashkëkombasin e tij në një të ardhme të afërt.

“Unë kurrë nuk do ta zëvendësoja Koemanin në stol. Do të ishte një gjë e shëmtuar dhe unë kam principe”, tha Cruyff për Marcan në korrik dhe kjo nuk ka ndryshuar që nga atëherë.

Ish-lojtari i Barcelonës ka një lidhje të ngushtë me Koemanin, i cili është mik me familjen Cruyff përmes babait të Jordit, Johanit.

Për këtë arsye, Jordi Cruyff nuk e ka ndërmend ta tradhtojë Koemanin duke e zëvendësuar në pozitën e trajnerit të Barcelonës, gjersa e vlerëson miqësinë më shumë sesa një vend pune.

Cruyff është i bindur se ai nuk është i interesuar për të pasuar Koemanin dhe mbetet të shihet nëse Barcelona do t’i ofrojë atij këtë mundësi në të ardhmen.

Disa lojtarë, përfshirë Ansu Fati, Sergio Aguero dhe Ousmane Dembele, pritet të kthehen në aksion në ndeshjet e ardhshme, pasi bordi pret që Barcelona të rizbulojë formën e tyre.

Ndërkohë, Koeman është i vetëdijshëm se tri ndeshjet e ardhshme do të jenë kyçe në lidhje me të ardhmen e tij në klub dhe ai do të synojë të rrisë moralin si të ekipit ashtu edhe të tifozëve pas humbjes 3-0 nga Bayern Munich në Camp Nou në mesjavë.

Pastaj, Barcelona do të përballet me Benficën në Evropë dhe humbja e një loje tjetër në fazën e grupeve mund të rrezikojë punën e Koeman.

Të ngjashme