Jorginho thotë se e meriton Topin e Artë, shpjegon pse

Prishtinë | 10 Nën 2021 | 15:53 | Nga Ekonomia Online

Mesfushori i Italisë dhe Chelseat, Jorginho, ka këmbëngulur se ai e meriton Topin e Artë 2021 për të dëshmuar se jo vetëm golat merren parasysh për këtë çmim.

Jorginho është njëri prej kandidatëve për ta fituar çmimin kryesor individual për futbollistë këtë vit, pasi u bë kampion i Evropës me klubin dhe kombëtaren në vitin 2021, raporton Gazeta Express.

Megjithatë, Lionel Messi i Paris Saint-Germainit mbetet favoriti kryesor për t’u shpallur lojtari më i mirë në botë.

“Nuk dua të kem shumë pritshmëri, por do të ishte hipokrizi të them se nuk po mendoj për të”, tha Jorginho për mediat italiane.

“Shumë mirë nëse ndodh, por nëse nuk ndodh, nuk ankohem. Unë rri me këmbë në tokë dhe përqendrohem në diçka tjetër. Unë e kam fituar tashmë çmimin lojtari më i mirë i vitit nga UEFA”, shtoi ai.

“Nuk më takon mua të them nëse duhet ta fitoj apo jo, por do të ishte motivim për lojtarët e tjerë, të tregoj se jo vetëm golat merren parasysh”, theksoi ai.

Të ngjashme