Joshua Cheptegei, rekord të ri në garën e 5000 metrave

Prishtinë | 15 Gus 2020 | 19:07 | Nga Ekonomia Online

Joshua Cheptegei thyen rekordin botëror të 5 000 metrave. Atleti i mirënjohur afrikan theu rekordin e garës së 5 000 metrave pikërisht në Diamond League, në Monte Carlo, duke përmirësuar në këtë mënyrë një rekord që qëndronte në fuqi prej një periudhe 16-vjeçare. 23-vjeçari nga Uganda zhvilloi një garë të shkëlqyer, duke thyer rekordin e vjetër me afërsisht 2”. Prej kohësh Joshua Cheptegei pati premtuar thyerjen e rekordit botëror të kësaj distance dhe në fakt në Principatë atleti i ri ugandez zhvilloi një garë të mrekullueshme, falë një taktike të studiuar deri në detaje dhe të zbatuar me përpikëri.

Në garën e tretë sezonale të Diamond League-s, në stadiumin “Luigji i Dytë”, Cheptegei e filloi aventurën e tij me një ritëm tepër të kënaqshëm dhe me kalimin e xhirove 23-vjeçari fitoi akoma më shumë besim. Pak rrotullime para fundit, kur në tabelat e posaçme elektronike vuri re kohën premtuese, ai përshpejtoi ritmin, duke sulmuar pikërisht rekordin botëror. Cheptegei konsiderohet si atlet ekspert për garat e thellësisë, madje sezonin e kaluar, në Doha, atleti nga Uganda theu rekordin personal dhe fiksoi kohën më të shpejtë të vitit, 26’ 48” 36, duke u kurorëzuar me titullin në garën e 10 000 metrave, në edicionin e 17-të të kampionatit botëror të atletikës, që u zhvillua në Katar.

Mitingu i Monte Carlos u mbajt në praninë e spektatorëve, të cilëve iu kërkua mbajtja e maskës si dhe respektimi i regullave të distancimit social. Krahasuar me rekordin e mëparshëm të atletit të famshëm etiopian, Kenenisa Bekele, Joshua Cheptegei ruajti një ritëm shumë të lartë në gjysmën e parë të garës. Përpara se të hynte në rrotullimin e fundit, atleti nga Uganda u tregua konstant në tre xhirot e mëparshme, duke i përshkuar ato në vetëm 3’ gjithsej. Gara e 5 000 metrave përbëhet nga 12 rrotullime e gjysmë dhe çelësi i suksesit pa dyshim mund të konsiderohet fakti që Cheptegei zhvilloi një garë të fantastike të kontrolluar gati–gati në perfeksion, duke i përshkuar xhirot e fundit në thjesht 1’. Në fund, 23-vjeçari e mbajti premtimin, teksa kaloi vijën e finishit me kohën 12’35”36, duke e përmirësuar në këtë mënyrë rekordin e atletit legjendar etiopian me afërsisht 2”.

Rekordin e vjetër 12’37”35 Bekele e pati vendosur që në vitin e largët 2004, kur në harkun e vetëm 9 ditëve ai theu rekordin në dy disiplina, pra si në 5 000 ashtu edhe në 10 000 metra. Pavarësisht se ky edicion ka influencuar ndjeshëm sezonin e shkurtuar në “mbretëreshën e sporteve”, për Joshua Cheptegei-n ky është rekordi i dytë botëror që vendos në Principatë gjatë vitit 2020. Në Monte Carlo, në muajin shkurt atleti ugandez theu gjithashtu edhe rekordin e 5 kilometrave në rrugë. Në përfundim të garës Cheptegei i qetë deklaroi se në Principatë ndihet mirë dhe Monte Carlo përfaqëson një ndër vendet më të veçanta dhe më të preferuara për të, për të synuar rekordet botërore. Ai shpjegoi se i është nevojitur shumë punë dhe mund për të motivuar veten dhe për të ruajtur përqëndrimin e duhur, duke marrë në konsideratë faktin që ky ka qenë një vit tepër i vështirë, pasi njerëzit kanë qenë të shtrënguar për t’u izoluar në shtëpitë e tyre për shkak të virusit COVID-19.

Mitingu i Monte Carlos mund të konsiderohet si një sukses, duke patur parasysh dështimet që pësuan organizatorët në Oslo dhe Zyrih, ku përgjithësisht atletët përshkuan në mënyrë individuale distanca të pazakonta. Të pranishëm në stadiumin “Luigji i Dytë” ishin 5 000 spektatorë në total dhe pavarësisht vështirësive të kuptueshme për shkak të pandemisë së Koronavirusit organizatorët kishin bërë një përzgjedhje shumë të mirë të atletëve pjesëmarrës dhe sigurisht me një strukturë të tillë Mitingu i Monakosë, përveç se i suksesshëm, duhet konsideruar gjithashtu edhe si një kthim në normalitet. 

Të ngjashme