Joshua: Fury ka më shumë guxim se Wilder për t’u rrahur me mua

Prishtinë | 17 Dhj 2019 | 17:58 | Nga Ekonomia Online

Anthony Joshua beson se Tyson Fury do të pranonte më shpejt se Deontay Wilder një meç kundër tij dhe madje i ofroi bashkatdhetarit të vet ndihmë për t’u përgatitur për luftën për titull në WBC.

Joshua i rifitoi titujt WBA, IBF dhe WBO me një triumf dominues ndaj Andy Ruiz Jr. në rimeçin e tyre në fillim të këtij muaji dhe vazhdon të jetë i përkushtuar për t’u bërë kampion i padiskutueshëm në kategorinë e rëndë, transmeton Gazeta Express.

Fury pritet ta konfirmojë rimeçin me Wilderin për muajin shkurt, pas betejës mes tyre që përfundoi baras dhjetorin e kaluar.

Joshua beson se bashkatdhetari i tij do të triumfojë dhe do ta fitojë titullin WBC.

“Sinqerisht, mendoj se Fury mund ta mposhtë Deontay Wilderin në meçin e radhës. Ky është mendimi im”, tha Joshua për Sky Sports.

“Mendoj se Tyson Fury do të pranonte të rrihet me mua më përpara se Wilder. Nëse ndodh kështu, dua që Fury të fitojë, sepse thjesht dua të luftoj”, shtoi ai.

“Ta kemi një meç këtu në tokën britanike? A mund ta imagjinoni”, theksoi ai.

Të ngjashme