Joshua mohon se i ka humbur guximi

Prishtinë | 22 Nën 2019 | 11:25 | Nga Ekonomia Online

Anthony Joshua u ka thënë dyshuesve të tij se nuk është bërë frikacak brenda natës.

Ylli 30-vjçar, me një luan tatuazh në gishtin e tij, ishte mbret i peshës së rëndë në boks, para se meksikani Andy Ruiz Jr ta befasonte më 1 qershor të këtij viti dhe t’ia rrëmbente të gjithë titujt e kampionit.

Dy boksierët do të përballen sërish në shkretëtirën e Arabisë Saudite më 7 dhjetor dhe kritikët e Joshuas kanë dalë më shpejt në skenë sesa që është ndërtuar stadiumi me 12 mijë ulëse, ku do të mbahet përballja mes dy gjigantëve të boksit, shkruan sot Koha Ditore.

Joshua 1.98 centimetra i gjatë ka hequr kripën nga dieta e tij dhe ka stërvitur me një grup të partnerëve duarshpejtë për të imituar meksikanin.

Mirëpo, Joshua insiston se nuk është bërë asgjë ndryshe në aspektin mental nga përgatitjet e kaluara.
“Ne mentalisht nuk kemi bërë asgjë ndryshe, unë jam kampion. Unë hyra në palestër dhe tre vjet më vonë isha kampion olimpik. Kam pasur një humbje, por nuk jam bërë frikacak brenda natës dhe një boksier që nuk di të boksojë. Unë di të luftoj, nuk duhet të reflektoj në këtë, thjesht duhet të fitoj këtë përballje”, ka thënë Joshua nga kampi i tij stërvitor në Sheffield.

Pas humbjes befasuese në “Madison Square Garden” të New Yorkut, kritikët e akuzuan kampionin olimpik të “Londra 2012” se po shqetësohet tepër për muskujt e tij si të një bodibillderi dhe po injoron shkathtësitë e tij të boksit.

Të ngjashme