Jusuf Nurkiç vendos rekord në NBA

Prishtinë | 04 Jan 2019 | 18:06 | Nga Ekonomia Online

Jusuf Nurkiç nuk është një emër tepër i shquar në basketbollin amerikan, por kjo nuk e pengoi të vendoste një rekord. Ylli nga Europa po shkëlqen këtë sezon me Portland-in.

Në Amerikë erdhi nga Bosnjë-Hercegovina, pra nga hapësirat e ish-Jugosllavisë. Jusuf Nurkiç është një basketbollist boshnjak krenar dhe besohet se ndihet edhe më shumë i tillë pas mbrëmjes historike, kur ndihmoi Portland-in të fitonte në fushën e Sacramentos, me shifrat 113-108, pas kohës shtesë.

Nurkiç shënoi 24 pikë, kapi 23 topa në tabela, shërbeu 7 asistë, vodhi 5 topa nga kundërshtarët dhe bllokoi 5 gjuajtje. Një paraqitje aq e madhe sa që është një rekord.

Asnjë basketbollist në historinë e NBA-së nuk ia ka dalë kurrë të kishte një ndeshje me 20 pikë apo më shumë, me 20 topa në tabela apo më shumë, me 5 asistë apo më shumë, me 5 vjedhje topi apo më shumë dhe me 5 bllokime gjuajtjesh apo më shumë. As Bill Rasëll, as Tim Dankën, Uilt Çembërleni, Karim Abdyl Xhabari, Shakill O’Nilli, Çarls Barkli apo Patrik Juingu. Më shumë nga të gjithë i afrohet Hakim Olaxhuoni, që arriti në 34 pikë, 22 topa në tabela, 5 asistë, 4 vjedhje, 7 bllokime topi.

Nurkiç është 24 vjeç, me shtatlartësi 2.13 metra dhe peshë 125 kilogramë. Ai mbërriti në NBA në 2014, në moshën 20-vjeçare, pasi luajti në Bosnjë-Hercegovinë, Slloveni dhe Kroaci.

Në basketbollin amerikan, u zgjodh nga Çikago, por u kalua tek Denveri, ndërsa në 2017 u bashkua me Portlandin. Skuadra e tij është në pozicion të mirë, e pesta në Perëndim me 22 fitore e 16 humbje.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme