Juve kërkon 300 milionë euro shtesë për t’u matur me rivalët

Prishtinë | 25 Tet 2019 | 10:26 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Juventusit, Andrea Agnelli, të enjten, u kërkoi aksionarëve të klubit të miratojnë një rritje të kapitalit prej 300 milionë eurosh për ta ndihmuar në zgjerimin e ambicieve globale të klubit italian.

Edhe pse pati një humbje prej 39.9 milionë eurosh në edicionin e shkuar, Agnelli u kërkoi aksionarëve një investim të madh si pjesë e një plani pesëvjeçar për të mbajtur ritmin me rivalët evropianë, si Real Madridi, Barcelona e Manchester Unitedi, shkruan sot Koha Ditore.

“Kam kërkuar nga aksionarët për të aprovuar një rritje të kapitalit prej 300 milionë eurosh për planin tonë të zhvillimit 2019-2024. Objektivi i kësaj rritjeje të kapitalit është zhvillimi i ardhshëm i Juventusit në një horizont të gjerë”, ka deklaruar Agnelli. “Ne duhet të jemi jashtëzakonisht krenarë për zhvillimin tonë që e kemi pasur deri më tash, por duhet të vazhdojmë me këtë ritëm. Këto shifra që kam kërkuar duken shumë të mëdha kur krahasohen me realitetin italian, por pikë e referencës sonë janë klubet e mëdha të Evropës”.

Transferimi i yllit portugez, Cristiano Ronaldo, në verën e vitit të shkuar ishte thelbësor për ambiciet e Juventusit për ta zgjeruar markën globalisht. Agnelli tha se Ronaldo do të jetë pjesë e Juventusit deri në vitin 2022, kur i skadon kontrata dhe pret që gjatë kësaj periudhe, 34-vjeçari ta fitojë për herë të gjashtë në karrierë “Topin e Artë”.

Të ngjashme