Juventusi i ofron Dybalas kontratë të re

Prishtinë | 10 Jan 2020 | 09:29 | Nga Ekonomia Online

Paulo Dybala, i cili gjatë afatit kalimtar të verës kishte qenë afër transferimit në Manchester United dhe Tottenham, pritet të nënshkruajë kontratë të re, me kushte më të mira, me Juventusin.

Burimet e mediumit Goal raportojnë se kampioni në fuqi i Serisë A është i gatshëm t’ia rritë pagën dukshëm Paulo Dybalas, për ta siguruar të ardhmen e tij.

Kjo kontratë e re do të ndikonte në uljen e interesimit të klubeve të mëdha evropiane për sulmuesin argjentinas, pasi që ai do të kushtonte shumë më shtrenjtë.

Gjatë 12 muajve të fundit shpeshherë ishte raportuar se ditët e Juventusit janë të numëruara, mirëpo rinovimi i kontratës me bardhezinjtë do t’i shuajnë të paktën përkohësisht spekulimet për të ardhmen e tij.

Shërbimet e Dybalas më së shumti ishin kërkuar nga klubet angleze, ndërsa prej tyre më së shumti interesim kishte shprehur Manchester Unitedi. Djajtë e kuq ia kishin ofruar Juventusit Romelu Lukakun plus para në shkëmbim të Dybalas, mirëpo marrëveshja s’ishte arritur.

Megjithatë, Dybala ka qenë në superformë gjatë këtij sezoni, duke kontribuar me nëntë gola dhe gjashtë asiste në 23 ndeshje. Këto paraqitje kanë ndikuar që ai ta fitojë ofertën për kontratë të re.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme