Juventusi kërkon arratinë kundër Empolit

Prishtinë | 27 Tet 2018 | 11:33 | Nga Ekonomia Online

Pasi dominoi në mënyrë shembullore një kundërshtar si Manchester United, për më tepër brenda në “Old Trafford”, Juventusi i rikthehet kampionatit, ku kalendari i ofron një ekip si Empoli, që nuk fiton një takim që nga java e parë e Serisë A.

Ndeshja do të luhet në Toskanë, në orën 18:00, në stadiumin “Castellani” dhe kampionët në fuqi kanë një rast të shkëlqyer për të marrë fitoren e radhës, për më tepër javën e kaluar, ndonëse kaluan të parët në avantazh, bardhezinjtë u bllokuan brenda në Torino në një barazim 1-1 me Genoan.
Në Angli “Zonja e Vjetër” nuk është se shpenzoi shumë energji dhe ekipi i Allegrit e administroi në mënyrë të shkëlqyer epërsinë, sidoqoftë do të mungojnë Khedira dhe Mandzukic, ndërsa mesfushori Emre Can mbetet në dyshim.

Vendasit paraqiten në këtë ndeshje pas barazimit 3-3 me Frosinone-n, megjithatë është e kuptueshme që “të kaltrit” do të bëjnë çmos për të marrë diçka nga ky takim, për të dalë nga kriza dhe rikthyer besimin te tifozët.

Ekipi toskan nuk e mposht Juventusin prej afërsisht dy dekadave në kampionat, ndërsa në Kupën e Italisë “vendësit” që u ngjitën sivjet nga Seria B krenohen me një fitore 1-0 11 vjet më parë, pikërisht në këtë stadium.

Juventusi vazhdon të dominojë futbollin në Apenine dhe është e kuptueshme që me diferencat e mëdha që ka me gjithë skuadrat e tjera “Zonja e Vjetër” të bëjë ndryshime në formacion, ku natyrisht spikat rreshtimi i Douglas Costas nga minuta e parë.

Për momentin kampionët në fuqi numërojnë 4 pikë më shumë se Napoli dhe 6 më tepër se Interi, gjithsesi me kundërshtarë si Empoli dhe Cagliari në kalendar, duke patur parasysh impenjimet e dy ndjekësve më të afërt me skuadrat romane, pritet që avantazhi në klasifikim të rritet, me synimin e qartë për të përgatitur më pas me qetësi impenjimet ndaj kundërshtarëve të tillë si Manchester United e Milan që shfaqen në horizont, por sidoqoftë me kalimin e javëve duke parë forcën, lirshmërinë në lojë si dhe futbollin vertikal që të gjithë po binden pak e nga pak se “bardhezinjtë” këtë herë i kanë që të gjitha mundësitë për të bërë “tripletën”.

Takimi i mbrëmjes do të luhet në Torino, ndërmjet ekipit “granata” dhe Fiorentinës. Skuadra vjollcë do të tentojë fitoren e dytë radhazi në Stadiumin Olimpik, gjithsesi përballja ndërmjet tyre pritet të jetë vërtet shumë interesante, pasi bëhet fjalë për dy klube të dhjetëshes së parë, që në tabelën e renditjes ndahen nga vetëm një pikë, ndërkaq Java e 10 në kampionatin italian starton herët, më saktë në orën 15:00, kur Atalanta do të presë në “Atleti Azurri” Parmën, që aktualisht ka katër pikë më shumë në klasifikim.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme