Juventusi pa Ronaldon sonte kundër Veronës

Prishtinë | 25 Tet 2020 | 13:18 | Nga Ekonomia Online

Pas triumfit të mesjavës në “Olimpiyskiy” të Kievit, Juventusi i rikthehet shpejt kampionatit, ku si rrallëherë bardhezinjtë e shikojnë veten disi larg kreut.

Natyrisht është vetëm fillimi i sezonit dhe “zonja e vjetër” ka zhvilluar vetëm katër takime gjithsej, sidoqoftë barazimi i fundit në Kalabri me një skuadër si Crotone nuk ka lënë përshtypje shumë të mira.

Deri më datën 8 nëntor kur bardhezinjtë do të masin forcat në “Olimpico” me Lazion, kampionët në fuqi kanë një kalendar tepër të lehtë, e përjashtim bën vetëm sfida me Barcelonën, që do të luhet menjëherë të mërkurën e ardhshme në qytetin e Torinos.

Përballë këtë herë qëndron skuadra e Veronës, që edicionin e kaluar e mbylli me plot 34 pikë më pak, gjithsesi këtyre anëve nuk është harruar ende sfida e fazës së dytë, kur verdheblutë përmbysën gjithçka në “Bentegodi”, me dy gola të realizuar në çerek orëshin e fundit të takimit, me anë të dyshes Borini – Pazzini.

Mbi të gjitha edicionin e kaluar ekipi i Veronës zhvilloi një kampionat dinjitoz, duke e mbyllur sezonin në dhjetëshen e parë të Serisë A, përpara klubeve me shumë më tepër emër si Fiorentina, Parma, Bologna, Sampdoria, Torino apo Genoa.

Për momentin Juventusi ka grumbulluar vetëm 8 pikë, madje fitorja me skuadrën e Gatuzos erdhi në tavolinë, si pasojë e mosparaqitjes së ekipit të Napolit në Piemonte. Pavarësisht rezultateve skuadra duket e qetë, për më tepër siç dihet mungon edhe ylli i skuadrës, si dhe golashënuesi më i mirë i ekipit Cristiano Ronaldo.

Me Andrea Pirlon në timon drejtuesit janë të ndërgjegjshëm që do të nevojitet shumë kohë që gjërat të funksionojnë vërtet siç duhet. 41-vjecari nga Brescia ka besimin e plotë të drejtuesve, diçka që është thelbësore në një marrëdhënie të tillë.

Ish-mesfushori i Juventusit Miralem Pjanic në një intervistë të dhënë deklaroi se Maurizio Sarri nuk kishte besim te vetë futbollistët. Mesfushori boshnjak që sezonin e kaluar nën drejtimin e Sarri-t u aktivizua në plot 30 ndeshje të Serisë A, shpjegoi se ndoshta ishte pikërisht marrëdhënia e trajnerit napolitan me senatorët e skuadrës që nuk funksionoi, prandaj edhe krerët e klubit vendosën që të ndryshojnë.

Me Sarrin bardhezinjtë e mbyllën kampionatin me 6 gola më shumë krahasuar me një edicion më parë, megjithatë për hir të së vërtetës me veteranin napolitan në timon skuadra pësoi jo pak, por 13 gola më shumë se në sezonin 2018-19, ndërkaq edhe numri i pasimeve u rrit vërtet me 1.700 më tepër, por numri i pasimeve në zonën e kundërshtarit u ul në mënyrë të ndjeshme.

Takimi do të luhet në orën 20:45 dhe përveç Cristiano Ronaldos do të mungojë gjithashtu edhe Federico Chiesa, që u ndëshkua me karton të kuq në takimin me Crotone-n, sidoqoftë trajneri Pirlo nuk do të mund të mbështetet as te emra të tillë si De Ligt, Alex Sandro dhe Chiellini. Ndonëse vazhdon të luhet pa spektatorë verdheblutë vuajnë jashtëzakonisht shumë larg Venetos, madje ndaj tyre bardhezinjtë numërojnë plot 13 fitore rresht në Torino, në të gjithë kompeticionet./SS/

Të ngjashme