Kamberi zyrtarizohet si lojtar i ri i “kuqezinjve”

Prishtinë | 11 Nën 2019 | 09:02 | Nga Ekonomia Online

Sulmuesi Florian Kamberi edhe zyrtarisht është pjesë e Kombëtares së Shqipërisë në futboll. Përzgjedhësi i Shqipërisë, Edy Reja, të dielën ka publikuar listën me emrat e 26 futbollistëve të ftuar për dy ndeshjet e fundit eliminatore për “Euro 2020”.

Pjesë e listës është edhe Kamberi, që bën karrierë te Hiberniani në Skoci dhe i cili jo shumë kohë më parë deklarohej i hapur për të luajtur për Shqipërinë, Kosovën apo Zvicrën, shkruan sot “Koha Ditore”.

Kombëtarja e Shqipërisë të hënën (sot) nis përgatitjet për ndeshjet kundër Andorrës dhe Francës. Ndeshja Shqipëri – Andorrë luhet të enjten, më 14 nëntor, në Elbasan. Ndërkohë ndeshja përfundimtare e këtij cikli eliminator është ajo ndaj Francës, që luhet më 17 nëntor në stadiumin “Arena Kombëtare” në Tiranë. Pikërisht ndaj kampiones së botës hapet stadiumi i ri në Tiranë, i ndërtuar në vendin ku ndodhej “Qemal Stafa” dhe që do të quhet “Air Albania”.

Shqipëria është tashmë pa gjasa për t’u kualifikuar në Evropianin e vitit tjetër. Renditet në vend të katërt në grupin H me 12 pikë nga tetë ndeshje. Prijnë Turqia e Franca me nga 19 pikë, kurse Islanda është e treta me 15 pikë.

Të ngjashme