Kampionët të emocionuar pas fitores së 4 medaljeve në Greqi

Prishtinë | 21 Maj 2019 | 14:05 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Federata e Bodybuildingut dhe Fitnessit të Kosovës kanë mbajtur konferencë për medie pas fitores së 4 medaljeve në Kampionatin Ballkanik në Bodybuilding dhe Fitness në Greqi, raporton Ekonomia Online.

Kryetari i Federatës së Bodybuildingut dhe Fitnessit, Esat Lata, tha se është i kënaqur me rezultatet e arritura në Kampionatin Ballkanik në Greqi.

“Me rezultatet ndihem mirë që kemi sjellë, por çdo herë duke mos harruar të falënderojmë për mbështetjen e MKRS-së dhe ne si Federatë mundohemi që këto shpenzime për sportistët t’i kthejmë me ndonjë çmim për ne dhe shtetin që kësaj radhe i kemi bërë ndaj shtetit të Kosovës. Si Federatë ndjehemi mirë dhe mendoj se shtetet për rreth e kanë zili për vendet që kemi nxënë dhe shpresoj se në garat e ardhshme ta përfaqësojmë Kosovën në të njëjtën mënyrë”, tha ai.

Sekretari i Federatës, Sabri Dragusha, tha se tani i mbetet Federatës të përgatitet që të prezantoj Kosovën në të njëjtën mënyrë, tani në Kampionatin Botëror.

“Pas suksesit që patëm në Kampionatin Evropian, ishim të 10-tët në bodybuilding, në Ballkan të parët, na pret fundi i shtatorit qe është Kampionati i Kosovës dhe ne aty do bëhemi gati për Kampionatin Botëror”, tha Dragusha.

Drejtori i Departamentit të Sportit në MKRS, Ibër Alaj, tha se ky sport do të ketë në vazhdimësi mbështetjen e MKRS-së.

“Ju përgëzoj për rezultatet e arritura në Greqi duke ditur për sfidat që keni, por motivi duhet të jetë më i lartë në të ardhmen”, tha Alaj.

Besard Maxharraj, fitues i vendit të parë në kategorinë -100 kg në bodybuilding, tha se është i kënaqur me vendin që ka marrë dhe se ka pasur emocione të shumta kur u dëgjua himni i Kosovës në Greqi.

“Kam pasë emocione që nuk mund të përshkruaj me fjalë, ajo që më bën të ndihem më mirë është që aty ka qenë himni i Kosovës”, u shpreh ai.

Kushtrim Bajraktaraj, fitues i vendit të parë në kategorinë -85 kg në bodybuilding, tha se është krenarë që kanë marrë medalje në këtë kampionat.

“Është nder dhe kënaqësi të stolisesh me medalje, por edhe kur përfaqëson shtetin tënd dhe që në mesin e shteteve që e kanë zili ta ngritësh flamurin dhe ta këndosh himnin e Kosovës”, tha Bajraktaraj.

Blerta Ibrahimi, fituese e vendit të gjashtë në Wellnes, tha se nuk është mjaftueshëm e kënaqur me vendin që ka marrë, por që mbetet të punohet edhe më shumë në të ardhmen.

Të ngjashme