Kampioni i botës në atletikë, Noah Lyles, po duhet të bëjë kujdes shtesë nga Coronavirusi pasi vuan nga astma

Prishtinë | 08 Pri 2020 | 16:38 | Nga Ekonomia Online

Sprinteri amerikan, Noah Lyles, është astmatik. Por, kjo nuk e ka penguar atë që të bëhet kampion bote në atletikë.

Ai ka fituar titullin në 200 metra sprint për 19.83 sekonda. Por, Lylesi këto ditë po duhet të ketë kujdes të shtuar shkaku i përhapjes së koronavirusit. Pasi është me astma ai hyn te personat që janë më të rrezikuar nga virusi.

“Astma sigurt se ndikon në çdo gjë që bëj sa i përket shëndetit, përgatitjes fizike, nganjëherë edhe gjendjes emocionale, pasi nëse je i lodhur emocionalisht, atëherë mund të ulë sistemin tënd imunitar. Kështu që është me rëndësi të jem në disponim të mirë në kohë si këto. Unë jam në mesin e të rrezikuarve. Pasi kam astma me alergjitë, unë jam sëmurë shumë herë gjatë stinorit të alergjive, kështu që po bëj çdo gjë që mundem për të mbajtur nën kontroll. Unë do të sigurohem që të mbetem shëndosh, duke larë duart, duke konsumuar vitaminë C, duke pirë ujë të ngrohtë me limon. Duke bërë këto gjëra po rrisin gjasat që të mos sëmurem”, ka thënë Lyles për “CNN Sport”, transmeton Koha.net.

Kjo nuk është hera e parë që amerikani 22-vjeçar është përballur me një pandemi globale.

“Në fakt, unë u infektova me gripin e derrave në vitin 2009. E kalova atë dhe duke e ditur këtë fakt më jep besim se mund të vazhdoj të luftoj, dhe edhe nëse infektohem me korona e di se mund ta tejkaloj atë”, ka thënë Lyles.

Sprinteri ka vuajtur nga problemet me frymëmarrje qëkur ishte fëmijë dhe iu desh të shkollohej në shtëpi në vitet e hershme.

“Nga mosha 3 apo 4-vjeçare e deri kur mbusha 7 vjet, unë po përballesha me astma dhe sulmet astmatike në mënyrë më serioze. Më dërgonin në spital çdo tri ditë. Kollë të vazhdueshme, vazhdimisht sëmurë pasi sistemi im imunitar ishte shumë i dobët”, tregon Lyles.

Pas heqjes së bajameve, ndryshimit në dietë dhe përkrahjes së nënës, Lyles ishte në gjendje të shkonte në shkollë publike. Atje u desh të kalonte sfida të tjera.

“Në klasën e dytë u diagnostikua me ADD (Çrregullimi i Deficitit të Vëmendjes) dhe disleksi dhe u bë një situatë ku në një lloj u distancova nga pjesa tjetër e shokëve të mi. Ishte shumë e vështirë për mua, madje edhe gjërat më të thjeshta si germëzimi. E di se shumë njerëz harrojnë këto. Por, ditët kur kishim teste të germëzimit ishin ditët më të këqija të jetës sime. E di se mund të germëzosh fjalën në kokë, por kur fillon ta shkruash i thua vetes: ‘Nuk po duket mirë. Por, nuk e mbaj në mend se si duhet të jetë.’ Ishin ditë vërtet të vështira. Edhe në shkollë të mesme duhej të punoja dhjetë herë më tepër për të arritur nivelin mesatar. Shkolla gjithmonë ka qenë pika më e vështirë për mua dhe sportet definitivisht kanë qenë një largim për mua dhe mundësi për t’u ndier shumë mirë”, ka thënë Lyles.

Larg nga muzika, Lyles është një muzikant pasionant.

“Unë në muzikë jam përfshirë dy vjet më parë”, tregon Lyles.

Për të ndihmuar promovimin e mitingut të Diamond Leagues në Zuerich vitin e kaluar, Lyles dhe atletja në disiplinën e kërcimit me purtek, Sandi Morris, bashkëpunuan me grupin zviceran të muzikës pop, Baba Shrimp, në videon muzikore “Souvenir”.

Lyles përdor vështirësitë e tij në fëmijëri si inspirim për muzikën e tij.

“Ndiej se shumë fëmijë nuk dëgjohen. Unë mundohem t’i tregoj botës se si është në ato periudha, nëpër të cilat kanë kaluar të gjithë. Por ndiej se shumë njerëz i harrojnë”, tregon Lyles.

Derisa bota po mundohet të përshtatet me izolimin në shtëpi për të luftuar COVID-19, Lyles është dashur ta modifikojë regjimin e tij stërvitor.

Ndonëse stërvitjet janë më ndryshe, karriera e tij në atletikë e ka mësuar pak a shumë me vetizolimin.

“Distanca sociale është e lehtë për ne atletët, pasi e gjitha që bëjmë është të stërvitim, hamë, rikuperohemi, bëjmë gjumë. Jemi mësuar me këtë regjim”, thotë amerikani.

Pasi që ngjarjet e atletikës janë pezulluar apo anuluar, Lyles po ka më tepër kohë të lirë. Pos muzikës së vet, ai po prodhon art dhe po luan lojëra me letra.

“Unë telefonoj, po ashtu, familjen time çdo ditë”, thotë Lyles.

Ish-kampioni në Lojërat Olimpike për të rinj është paraparë që në Tokio të marrë pjesë për herë të parë në Lojëra Olimpike. Lojërat e parapara të mbahen këtë vit janë shtyrë për verën e vitit të ardhshëm.

Lyles është i lumtur që janë caktuar datat e reja.

“Kur shkon në Lojërat Olimpike dëshiron që të gjithë të jenë në formën më të mirë, pasi kur fiton, nuk dëshiron të dëgjosh arsyetime”, thotë sprinteri amerikan.

Të ngjashme