Kampioni i Gjermanisë në not, Arti Krasniqi, debuton për Kosovën në “Lojërat Mesdhetare”

Prishtinë | 22 Gus 2019 | 10:16 | Nga Ekonomia Online

Notari me të ardhme të ndritur, Arti Krasniqi, tani e tutje do të garojë për Kosovën.

20-vjeçari, notar i ujërave të hapura, deri në vitin 2017 ka garuar për Gjermaninë, shtet ky me të cilin nuk i kanë munguar sukseset.

Federata e Notit të Kosovës ka marrë edhe zyrtarisht lejen nga Federata Gjermane e Notit, për ta lejuar Artin të garojë për vendin tonë.

Krasniqi do të debutojë javën e ardhshme në Patra të Greqisë, ku prej 25 – 31 gusht 2019 do të mbahen Lojërat e dyta Mesdhetare në Rërë Patra 2019, në të cilat Komiteti Olimpik i Kosovës do të marrë pjesë për herë të parë.

Arti në fund të muajit qershor u bë kampion i Gjermanisë në 10 kilometra, kurse për disa vjet është bërë kampion në Maratonën Ndërkombëtare Kosova 2019, në distancë 4.2 kilometra. Në Gjermani, ai është vlerësuar njëri prej notarëve më të mirë në distanca të gjata. Në Patra 2019 do të garojë në distancë 5 km.

Krahas Artit, vendin tonë në Patra 2019 do ta përfaqësojnë edhe ekipet e beach volleyt në të dyja konkurrencat, Dhuratë Ismajli, Valmire Ramadani dhe Faton Mustafa e Armend Berisha.

Në Lojërat Mesdhetare në Rërë Patra 2019, marrin pjesë 26 shtete, anëtare të Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare.

Të ngjashme