Kampionia botërore kritikon autoritetet ruse për suspendimin

Prishtinë | 11 Dhj 2019 | 14:20 | Nga Ekonomia Online

Kampionia e botës në kërcim së larti, rusja Maria Lasitskene, ka akuzuar të martën autoritetet e shtetit të saj se kanë dështuar të mbrojnë sportistët nga kriza e dopingut që po thellohet, në një sulm të rrallë publik ndaj zyrtarëve të lartë.

Agjencia Botërore e Antidopingut (WADA) të hënën i ka dhënë Rusisë një dënim të ri katërvjeçar nga ngjarjet e mëdha sportive, përfshirë Lojërat Olimpike dhe Botërorin 2022 të futbollit, për shkak të prishjes së të dhënave në laboratorin e antidopingut, transmeton Koha Ditore shkrimin e Reuters.

Vendimi nënkupton se sportistët rusë mund të garojnë në Lojërat Olimpike të vitit 2020 në Tokio vetëm si neutralë. Por Lasitskene dhe disa atletë të tjerë rusë do të përballen me pengesa shtesë për t’u pastruar emri i tyre për të garuar.

“Unë kam humbur një edicion të Lojërave Olimpike dhe një vit e gjysmë gara ndërkombëtare”, ka shkruar Lasitskene në një letër të hapur adresuar autoriteteve sportive ruse të publikuar nga “Championat.com”. “Dhe duket se nuk ka fund këtu. Pra, kush të fajësohet përfundimisht këtu? Kush do ta më kthejë mua atë që kam humbur?”.

Lasitskene, kampione e trefishtë e botës, ka qenë kritike në të kaluarën ndaj Federatës së Atletikës të Rusisë, që është suspenduar që në vitin 2015 për shkak të dopingut dhe ka qenë një nga sportistet e pakta në Rusi që kanë folur publikisht për zemërimin ndaj autoriteteve.

Federata Botërore e Atletikës muajin e kaluar ka ndaluar procedurën e heqjes së suspendimit të Federatës së atletikës të Rusisë, pasi presidenti i atletikës ruse dhe gjashtë zyrtarë të tjerë janë suspenduar përkohësisht për thyerje serioze të rregullave të antidopingut.

Të ngjashme