Kane: Italia ka histori më të mirë, por ne kemi besim të plotë se do ta fitojmë Euro 2020

Prishtinë | 10 Kor 2021 | 17:49 | Nga Ekonomia Online

Kapiteni i Anglisë, Harry Kane ka folur për finalen e EURO 2020 në Wembley dhe pranoi se Italia ka një histori më të mirë se ta, por theksoi se Tre Luanët kanë besim të plotë dhe janë gati të shkruajnë historinë të dielën.

Kane shënoi golin vendimtar për të dërguar Anglinë në finalen e Euro 2020 me një gol në vazhdime në fitoren 2-1 kundër Danimarkës dhe tha që skuadra angleze pret një ndeshjen të madhe kundër Azzurrëve.

“Ka qenë një udhëtim i gjatë, një udhëtim i vështirë, me shumë ulje dhe ngritje gjatë rrugës. Por, të luash dhe të udhëheqësh djemtë në finalen tonë të parë Evropiane dhe finalen tonë të parë në 55 vjet apo më shumë do të jetë jashtëzakonisht e veçantë”, ka thënë fillimisht Kane për Sky Sports.

“Eksitimi është aty, jam i sigurt se do të ketë nerva, por ne e presim me padurim. Ju duhet t’i merrni këto momente dhe të shijoni këto momente të historisë dhe shpresojmë se mund të shkojmë një hap më tej dhe ta fitojmë të gjithë garën”.

Italia ka 33 ndeshje si e pamposhtur që nga ndeshja kundër Ukrainës më 10 tetor 2018 dhe ka fituar 28 prej tyre, duke përfshirë kohën shtesë dhe penalltitë.

Azzurri kanë fituar katër Kupa të Botës dhe një Kampionat Evropian dhe Kane e di që kundërshtarët e së dielës kanë një ‘histori më të mirë’, por vuri në dukje përvojën edhe në skuadrën e Anglisë.

“Mendoj se është një lojë vërtetë 50-50. Sigurisht, Italia ka një histori më të mirë se ne sa i përket fitimit të turneve, fitimit të finaleve të mëdha, por unë mendoj se në ekipin tonë shumë prej nesh kanë pasur përvojë në nivele klubesh, ne po luajmë në ndeshjet më të mëdha, finalet më të mëdha në të gjithë Evropën”.

“Është një lojë me të vërtetë e vështirë, padyshim që nga këndvështrimi ynë kemi besim të plotë në atë që po bëjmë dhe mënyrën se si jemi vendosur, por do të jetë shumë e vështirë”.

“Ata kanë disa lojtarë të shkëlqyeshëm me përvojë të madhe, ata kanë qenë aty dhe e kanë bërë atë. Në çdo finale, në çdo lojë të madhe, duhet të jesh në formë në të gjitha aspektet, kështu që e dimë se kështu ndodh të dielën dhe shpresojmë se mund ta lëkundim atë në favorin tonë”, përfundoi ylli anglez.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme