Kapiteni i Kosovës dhe ai i Shqipërisë, shkëlqyesit e heshtur të Napolit

Prishtinë | 27 Pri 2021 | 14:27 | Nga Ekonomia Online

Dy gjigantë në mbrojte, Amir Rrahmani dhe Elseid Hysaj. Të dy ishin protagonistë të patëmetë të fitores së arritur nga Napolit të hënën mbrëma ndaj Torinos me rezultatin 2:0, në kuadër të xhiros së 33-të të kampionatit italian, Serie A. Ndër më të mirë, perfekt nga minuta e parë deri në minutën e fundit, pa rënie dhe me shumë siguri. Për Rrahmanin ishte ndeshja e 12-të me fanellën e Napolit, e teta si titullar. Kapiteni i Kosovës për napolitanët ka kontribuar edhe me një asistim.

“Një paraqitje e fortë nga kapiteni i Kosovës i cili e mbylli mirë një situatë të komplikuar në zonën e penalltisë në fund të pjesës së parë. Ai në minutën e 12-të ruajti mjaft mirë sulmuesin Andrea Belottin dhe më vonë nuk u gjet kurrë në vështirësi në situatë mbrojtëse. Përveç kësaj, ai gjithashtu luajti mirë edhe me top, duke organizuar ekipin nga faza e mbrojtjes.

Perfomancë brilante pati edhe Elseid Hysaj, i cili ishte i pagabueshëm në krahun e majtë të mbrojtës duke penguar çdo tentim për të sulmuar futbollistin e Torinos, Wilfried Singon”, shkruan të martën “ilnapolionline.com”.

Për Hysajn 27-vjeçar paraqitja e së hënës ishte e 19-ta në Serie A, ndërsa ai ka kontribuar edhe me dy asistime.

Kapiteni i Shqipërisë, Hysaj pjesë e Napolit është që prej vitit 2015 kur edhe u transferua nga Empoli. Mediumet në Itali kanë raportuar se Hysaj është ende i pavendosur për të ardhmen e tij. Gjasa ka që edhe të largohet në verë, pasi nuk e ka vazhduar kontratë e cila i skadon në verën e këtij viti, ndërsa ndryshe qëndrojnë planet për Rrahmanin. Kapiteni i “Dardanëve” pret të bëhet lider te Napoli, skuadër të cilës iu bashkua në verën e vitit të kaluar nga Hellas Verona. Në fakt, për Napolin ai nënshkroi kontratë deri në qershor të vitit 2024 në janar të vitit të kaluar, por në verë iu bashkua ekipit të udhëhequr nga trajneri, Gennaro Gattuso.

Vet Rrahmani më herët ka deklaruar se do të synoj të jetë gjatë pjesë e skuadrës së Napolit, ndërsa ka theksuar se dëshiron të fitojë edhe shumë trofe.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme