Kapiteni i Liverpoolit: Ka kaluar koha e Coutinhos në Anfield

Prishtinë | 18 Shk 2020 | 12:09 | Nga Ekonomia Online

Kapiteni i Liverpoolit, Jordan Henderson, e cilëson brazilianin Philippe Coutinho si lojtar të jashtëzakonshëm, mirëpo e pranon se tashmë ka kaluar koha e tij në Anfield, mes spekulimeve për një kthim potencial të tij.

Liverpooli i ndau rrugët me yllin brazilian gjatë afatit kalimtar të janarit të vitit 2018, kur ai u shit për 160 milionë euro në Barcelonë, transmeton Gazeta Express.

Me ato para që Liverpooli i mori nga shitja e Coutinhos, trajneri Jurgen Klopp arriti të bëjë përmirësim të dukshëm në skuadër, veçanërisht me transferimin e qendërmbrojtësit Virgil van Dijk nga Southamptoni.

Prurjet e reja në Anfield kanë pasur shumë sukses dhe kanë arritur të ndihmojnë në triumfin e Liverpoolit në Ligën e Kampionëve, përderisa Coutinho ka dështuar në Camp Nou dhe është dërguar në formë huazimi në Bayern Munich. Së fundi, është raportuar edhe për një kthim të mundshëm të Coutinhos në Anfield.

“Philin e kam shok të mirë. Mendoj se ai është futbollist i jashtëzakonshëm, ai ka gjithçka, ka sjellje të mira dhe e do shumë futbollin”, ka thënë Henderson, në një intervistë të dhënë për gazetën spanjolle Sport.

“Natyrisht që për mua ai do të ishte gjithmonë i mirëpritur, por kjo nuk varet nga unë. Me siguri që më e mira është ta pyesni trajnerin për këtë. Ne lojtarët e donim shumë atë, kështu që nëse do të pyeteshim ne, me siguri se do të donim ta kthenim”.

“Por, mendoj se koha e tij këtu ka kaluar, ai ka ecur përpara dhe shpresoj se në të ardhmen e afërt do ta shohim atë në të njëjtën formë që e kishim parë këtu në të kaluarën”.

“Pas largimit të tij, unë mendova se do të na duheshin përforcime, mendoja se ai do të ishte një humbje e madhe për ne. Do të ishte një humbje e madhe për cilëndo skuadër. Por, ai ishte momenti për ta dëshmuar veten. Djemtë e ngritën nivelin dhe në bëmë punë të mirë pa të”. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme