Kapiteni i Sheriffit: Në Madrid shkuam për ta mposhtur Realin, jo për t’u shëtitur

Prishtinë | 29 Sht 2021 | 14:56 | Nga Ekonomia Online

Kapiteni i Sheriffit, Frank Castaneda, ka këmbëngulur se klubi moldavian shkoi në Madrid të martën për ta mposhtur Real Madrid në Ligën e Kampionëve dhe jo për t’u sjellë vërdallë nëpër fushë.

Sheriff Tiraspol e shkaktoi njërën prej fitoreve më tronditëse në historinë e Ligës së Kampionëve të martën, duke e mundur 2:1 Real Madridin në Santiago Bernabeu me një gol mahnitës të Sebastien Thill në minutën e 89-të.

“Arritja e fitores këtu për ne është ëndërr e përmbushur. Ne jemi shumë të lumtur dhe po e shijojmë atë”, tha Castaneda pas triumfit kundër Madridit.

“Ne erdhëm këtu për të fituar. Ne nuk erdhëm këtu vetëm për t’u sjellë vërdallë”, këmbënguli futbollisti kolumbian.

“Ne e dimë sa të mirë janë lojtarët tanë dhe fatmirësisht për ne Madridi nuk ishte në gjendje t’i shfrytëzonte rastet dhe ne i shfrytëzuam tonat”, shtoi ai.

Jasurbek Yakhshiboev e kaloi në epërsi skuadrën vizitore me një gol me kokë në pjesën e parë, para se Karim Benzema ta barazonte rezultatin për ekipin e Carlo Ancelottit nga penalltia.

Kjo ishte fitorja e dytë për Sheriff, i cili tani ka gjashtë pikë në vendin e parë në Grupin B, me Real Madridin që bie në vendin e dytë me tri pikë.

Interi është i treti me një pikë, aq sa ka edhe Shakhtari në vendin e fundit.

Të ngjashme