Kapiteni i Shqipërisë U21: Jemi më të mirë se Kosova

Prishtinë | 14 Tet 2019 | 19:12 | Nga Ekonomia Online

Sherif Kallaku është rikthyer në kombëtare dhe do të mbajë shiritin e kapitenit në sfidën e nesërme me Kosovën, që luhet në “Elbasan Arena” prej orës 19:00. Mesfushori mungoi në miqësoren kundër Francës dhe në takimin ndaj Austrisë. Mesfushori ndihet mirë, edhe pse e pranon se akoma nuk është në maksimum.

“Kalova një dëmtim njëmujor dhe tani të jem realist nuk mendoj se ndihem në formën time optimale, pasi kam shumë për të dhënë. Gjithsesi ndihem shumë mirë për ta luajtur këtë ndeshje dhe për të bërë një paraqitje të mirë”, tha fillimisht Kallaku.

Në lidhje me ecurinë e Kosovës, ai shtoi: “Siç e tha edhe profesori, ata kanë më shumë pikë se ne. Dua të theksoj se kualiteti tek ne është pak më i madh se tek ata. Kemi punuar mirë në stërvitje dhe do ta përballojmë këtë ndeshje. Është thjesht një ndeshje e radhës, që duhet të marrim tre pikët. Për ne është detyrim”, shprehet mesfushori, i cili më tej thekson se nuk është vetëm ai lider në ekipin e Shqipërisë U21, por janë të tërë.

Ai vijon të flasë për ndeshjen me Kosovën dhe e shikon si një derbi: “Normalisht mund të quhet ndeshje vëllazërore, por janë kualifikuese dhe janë detyrim tre pikët. Nuk do futemi si në një ndeshje vëllazërore, por për ta fituar. Derbi? Normalisht që është një derbi. Është një derbi ku nuk ka gjëra të tipit ‘jemi vëllezër’. Pas ndeshjes mund të jemi vëllezër”.

Të ngjashme