Karriera e Bernard Berishës me klubin jo të zakonshëm çeçen në elitën e Rusisë

Prishtinë | 04 Mar 2022 | 12:43 | Nga Ekonomia Online

Pas fitores 2:1 ndaj Ufas, fundjavën e kaluar, lojtarët e Akhmat Groznyt festuan me pasion në fushën e stadiumit “Akhmat-Arena”. Ndeshja i takoi javës së 19-të të kampionatit të Rusisë në futboll.

Lojtarët formuan një rreth në fushë, ndërsa një kosovar, Bernard Berisha, u vendos në mes të tyre. Mbajti një fjalim të shkurtër. Në videot e publikuara nga klubi duket si një fjalim nxitës për festë pas një fitoreje të rëndësishme kampionale. Berisha më pas ftoi lojtarët që të përshëndesin shikuesit në tribuna. Në tribunë, një tifoz shpalosi një pano ku shkruante “BERNARD BERISHA – SPASIBO ZA FUTBOL” (Bernard Berisha faleminderit për futbollin).

Berisha është shumë i vlerësuar tek Akhmati, klubi me bazë në Grozni, kryeqendrën e Çeçenisë. Çeçenia është Republikë e Rusisë, dikur në konflikt të ashpër luftarak me shtetin rus.

Akhmat Grozny nuk është klub i zakonshëm i futbollit. E mban emrin e ish-liderit të Çeçenisë, Akhmat Kadyrov. Akhmat Kadyrov fillimisht ishte prej liderëve të çeçenëve që luftonin për pavarësi nga Rusia (1994-1996). Kur nisi lufta e dytë e Çeçenisë (1999 – 2000), Akhmat Kadyrov ndërroi anë. U vendos në shërbim të Rusisë zyrtare dhe më vonë u bë president i Çeçenisë. Më 9 maj të vitit 2004 u vra. Çeçeninë për kohë shumë të gjatë e udhëheq Ramzan Kadyrov, djali i Akhmatit. Ramzan Kadyrov është shumë i afërt me Vladimir Putinin dhe trupat e tij është raportuar se janë bërë pjesë e luftës në Ukrainë. Natyrisht në shërbim të Rusisë. Ka pasur raportime për shumë të vrarë në mesin e çeçenëve që shkuan për të luftuar në Ukrainë.

Mediat e huaja shkruajnë se klubi Akhmat Grozny është i diktatorit çeçen dhe njeriut të afërt të Putinit, Ramzan Kadyrov. Edhe në sajtin zyrtar të Akhmat Groznyt, emri i Ramzan Kadyrov është i pari te drejtuesit e klubit. Ai është paraqitur si udhëheqës i Republikës çeçene dhe president i nderit i klubit.

Akhmati është klub stabil në elitën e Rusisë. Luan në stadiumin e ri të hapur në vitin 2011 e që ka kapacitet prej 30 mijë ulëseve. Edhe stadiumi mban emrin e Akhmatit, Akhmat-Arena.

Ndonëse lufta në Ukrainë po vazhdon dhe FIFA e UEFA kanë pezulluar klubet dhe përfaqësueset ruse, në Rusi kampionati po vazhdon. Ai rifilloi fundjavën e kaluar në kulm të konfliktit në Ukrainë, pas pushimit dimëror.

Shumë lojtarë e trajnerë të huaj po largohen nga Rusia. Akhmati nuk ka mbetur i paprekur.

“Mesfushori i ekipit, Artem Polyarus ka kërkuar shkëputje të hershme të kontratës për arsye familjare. Futbollisti ka luajtur 24 ndeshje për klubin nga Grozny dhe ka shënuar tre gola. Ne e falënderojmë Artemin për punën e përbashkët në klub dhe i dëshirojmë fat në karrierë”, thuhet në një njoftim të Akhmat Groznyt të publikuar të enjten. Polyarus është ukrainas dhe si sportistët e tjerë ukrainas ka vendosur për largim nga Rusia. Është bërë e ditur se edhe dy trajnerë ukrainas janë larguar nga Akhmati.

Kampionati në Rusi pritet të vazhdojë, me gjithë konfliktin në Ukrainë. Akhmati po vazhdon përgatitjet për ndeshjen e ardhshme që e luan po në shtëpi ndaj Rubin Kazanit më 7 mars. Në stërvitjen e së enjtes ishte edhe Berisha, por edhe të huaj të tjerë.

Bernard Berisha nuk ka dashur të flasë për gjendjen në klub pas fillimit të luftës në Ukrainë. Ai është kapiten i skuadrës, ndërsa ndaj Ufas, në fitoren 2:1, luajti vetëm në pjesën e dytë. U kthye nga një lëndim që e mbajti jashtë fushës së blertë që nga gushti. Në pesë ndeshje të këtij edicioni ka dy asistime.

Berisha 30-vjeçar, është stabilizuar në klubin nga Çeçenia. Tek Akhmat Grozny është që nga viti 2017. Një edicion e kaloi tek Anzhi Makhachkala, klub tjetër i Rusisë, përkatësisht i Republikës së Dagestanit. Në Shqipëri ka luajtur për Besën e Kavajës e Skënderbeun e Korçës, ndërsa në fillim të karrierës luajti në Kosovë.

Berisha i ka 16 ndeshje e një gol të shënuar për Kosovën. Nuk është ftuar së fundi për shkak të mospajtimeve me ish-selektorin Bernard Challandes. Te Kosova asnjëherë nuk e ka pasur rëndësinë që e ka tek Akhmat Grozny. Skuadra çeçene aktualisht mban vendin e pestë në elitën e Rusisë dhe po lufton për dalje në kupa evropiane. Natyrisht, nëse kjo ndërkohë u mundësohet ekipeve nga Rusia.

Të ngjashme