Katër medalje të bronzta për Kosovën në Budapest

Prishtinë | 10 Shk 2020 | 10:04 | Nga Ekonomia Online

Katër medalje kanë fituar karateistët e rinj të Kosovës në Kampionatin Evropian që prej të premtes deri të dielën është mbajtur në Budapest të Hungarisë.

Ishte ky Evropiani i 47-të për kategori të reja, përkatësisht për kadetë, juniorë dhe garues deri 21 vjet. Kosova në Budapest dërgoi ekip masiv me 29 karateistë, ndërsa katër prej tyre kanë fituar medalje të bronzta.

Suksesin e madh Kosova e ka arritur të dielën, kur fitoi tri medalje bronzi në grupmoshën U-21. Albulena Gërvalla fitoi fillimisht medalje në kategorinë deri 55 kilogramë. Gërvalla edhe para një viti kishte fituar medalje evropiane. Ajo, sipas njoftimit të Federatës së Karatesë të Kosovës, ishte pranë finales. Ka mposhtur garuese nga Sllovakia, Mali i Zi e Skocia, ndërsa ka humbur nga një karateiste elitare e Rusisë. Më pas fitoi luftën për medalje të bronztë.

Edhe Vesa Ibrahimi në kategorinë deri 68 kilogramë iu afrua finales, por edhe ajo humbi nga një ruse. Në finale fitoi bindshëm ndaj një garueseje nga Franca me shifrat 8:1. I fundit që fitoi medalje ishte Benjamin Shabani në kategorinë mbi 84 kilogramë. Edhe ai kishte tri fitore, para se të mposhtej në gjysmëfinale dhe të fitonte sërish për vend të tretë.

Të shtunën medalje për Kosovën kishte fituar edhe Betim Maliqi në konkurrencë të juniorëve.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme