Kemal Ademi mund të ketë zgjedhur Zvicrën

Prishtinë | 26 Qer 2020 | 15:39 | Nga Ekonomia Online

Sulmuesi i Baselit, Kemal Ademi mund të ketë zgjedhur Zvicrën për të prezantuar në futbollin ndërkombëtar.

Të premten Federata e Futbollit të Zvicrës ka njoftuar se Ademi tani e ka të drejtën për të luajtur për Zvicrën.

Dy ditë më parë Federata e Futbollit të Zvicrës ka marrë dritën e gjelbër nga FIFA lidhur me të drejtën e sulmuesit shtatlartë që të paraqitet për helvetikët.

Ademi 24-vjeçar është i lindur në Gjermani, ndërsa është rritur në Zvicër. Për të në garë ka qenë edhe Kosova, ndërsa është përmendur edhe mundësia që ai të luajë për Shqipërinë.

Por Federata e Futbollit të Zvicrës ka bërë hapa para në këtë drejtim. Madje duket që veprimet kanë qenë të koordinuara me lojtarin.

“Në mënyrë që të fitojë të drejtën e lojës, Federata e Futbollit të Zvicrës dhe Ademi është dashur të prezantojnë shumë dokumente dhe arsye te FIFA. Pas ekzaminimit të aplikimit, është dhënë leja. Kemal Ademi në dhjetor të vitit 2002, si gjashtëvjeçar erdhi së bashku me familjen e tij në kantonin Appenzell-Ausserrhoden. Ai ka jetuar në Zvicër për gati 14 vjet dhe është shtetas zviceran prej vitit 2011. 24-vjeçari aktualisht është nën kontratë te Baseli”, ka njoftuar Federata zvicerane.

Të ngjashme