Kevin Durant s’do të luajë kur të rinisë sezoni i NBA

Prishtinë | 09 Qer 2020 | 09:48 | Nga Ekonomia Online

Kevin Durant e ka bërë të qartë se nuk do të luajë kur të rinisë sezoni 2019/20 i NBA në korrik për Brooklyn Nets, duke e ritheksuar kështu që do t’i japë vetes kohë për t’u shëruar plotësisht nga lëndimi që e pësoi gjatë finaleve të sezonit të kaluar.

Ylli i Brooklyn Nets e pësoi një lëndim serioz në kyçin e këmbës sezonin e kaluar, në finalet kundër Toronto Raptors, sa ishte pjesë e Golden State Warrios. Ai nuk ka luajtur në asnjë ndeshje të NBA që nga 10 qershori i vitit të kaluar.

“Sezoni ka marrë fund për mua. Unë nuk planifikoj të luaj në asnjë ndeshje. Ne vendosëm verën e kaluar, kur e pësova lëndimin, se do të ishte më mirë të prisja deri në sezonin vijues”, ka thënë Durant.

“Nuk e kisha në plan të luaj në asnjë ndeshje të këtij sezoni”.

Durant kishte qenë duke marrë pjesë në ndeshje pesë-kundër-pesë në stërvitje në mars, mirëpo nuk ka luajtur në atë nivel që kur sezoni u ndërpre gjatë atij muaji shkaku i përhapjes së virusit Covid-19.

Menjëherë pasi sezoni 2019/20 u suspendua, Durant e konfirmoi se ai ishte njëri ndër lojtarët që kishte rezultuar të jetë i infektuar me koronavirus.

Durant tani pritet ta vazhdojë procesin rikuperues deri në kampin stërvitor të vitit të ardhshëm. Për shkak të shtyrjes së sezonit 2019/20, ky kamp do të fillojë në nëntor, ndërsa sezoni 2020/21 do të nisë më 1 dhjetor.

31-vjeçari Durant është shpallur dy herë kampion i NBA dhe e ka fituar çmimin MVP (Lojtari më i Vlefshëm në ligë) në sezonin 2013/14.

Gjatë karrierës së tij 12-vjeçare në NBA, ai ka luajtur në 849 ndeshje ndërsa i ka shënuar mesatarisht 27 pikë për ndeshje e ka kontribuar mesatarisht edhe me 7.1 kërcime, ndërsa në katër sezone ka qenë koshashënuesi më i mirë i ligës.

Të ngjashme