KF Feronikeli nderon ish-kapitenin e tyre në prag të sfidës ndaj Lirisë

Prishtinë | 12 Shk 2020 | 11:38 | Nga Ekonomia Online

Feronikeli zhvillon ndeshjen e parë në pranverë këtë të mërkurë, me ç’rast udhëton drejt Prizrenit për tu takuar me Lirinë në kuadër të çerekfinales së DigitAlb Kupës së Kosovës, shkruan Gazetasheshi.com.

Por, në prag të nisjes drejt qytetit antik të Kosovës, futbollistët, stafi teknik dhe stafi drejtues i klubit kanë bërë homazhe pranë varrit të Rexhep Rexhepit, ish-kapitenit legjendar të Feronikelit, i cili humbi jetën gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Ai ra heroikisht dëshmor më 12 shkurt të vitit 1999, por për të mbetur i pavdekshëm në zemrat e tifozëve të KF Feronikelit dhe të mbarë qytetarëve të Kosovës.


Edhe presidenti i këtij klubi, Naser Ramaj, ka folur për përvjetorin e vdekjes së “Rexhep Rexhepi”, duke thënë se edhe ai do të ishte krenar me të arriturat e klubit të tij të zemrës.

“Jemi krenar që stadiumi i klubit mban emrin e Rexhep Rexhepit, kapitenit që mes dashurisë për futbollin dhe aspiratës për liri, zgjodhi këtë të fundit, por arriti të mbesë në kujtimet tona për të dyja ëndërrat e tij. Shpresojmë që edhe ai është krenar me të arriturat e klubit të tij të zemrës. I qoftë i lehtë dheu i Kosovës”, deklaroi Ramaj për faqen zyrtare të klubit.

Të ngjashme