KF Llapi transferon Dren Ahmetin

Prishtinë | 28 Maj 2021 | 14:29 | Nga Ekonomia Online

KF Llapi ka filluar me përforcime për ndeshjet që i presin në Evropë dhe sezonin e ardhshëm.

Klubi nga Podujeva sot ka prezantuar Dren Ahmetin, i cili në dy edicionet e fundit ishte pjesë e Vushtrrisë.

Ahmeti është 22-vjeçar dhe luan në pozitën e sulmuesit të krahut të djathtë.

“Sulmuesi i krahut të djathtë i lindur në Vushtrri, pjesë e Vushtrrisë në dy edicionet e fundit, me të cilin klub kishte nisur hapat e parë dhe i kishte kaluar të gjitha kategoritë e reja. Ky është Dren Ahmeti, futbollisti i cili për 3 vitet e ardhshme ka zgjedhur të mbroj ngjyrat e KF Llapit. Dren Ahmeti, 22 vjeç, i lindur më 08.06.1998, i gjatë 1.76 m, në qershor të këtij viti mbush 23 vite. Karrierën prej futbollisti e kishte nisur tek skuadra e Vushtrrisë, pjesë e së cilës ishte deri këtë edicion. Ahmeti është sulmues i krahut të djathtë dhe të majtë si dhe mesfushor ofensiv. Në edicionin e fundit për Vushtrrinë arriti të realizoj 2 gola dhe asistoj në 6 të tjerë”, shkroi klubi në Facebook.

Derisa Ahmeti u shpreh i lumtur për zgjedhjen, dhe tha se do të jap më të mirën nga vetja për klubin.

“Është ndjenjë jashtëzakonisht e mirë kur i bashkohesh një skuadre me traditë, tashmë skuadër që merr pjesë në gara evropiane. Do ta bëj maksimumin tim dhe iu premtoj se do ta jap më të mirën nga vetja për klubin. Falenderoj trajnerin Tahir Batatina për besimin që ma dha të jem pjesë e klubit. Me punë e angazhim do të shkruajmë histori së bashku në Evropë. ‘Legjendave’ u premtoj gola e asistime e ndeshje të mira në vazhdimësi që Llapi të jetë sa më lartë në tabelë, pse jo, dua edhe titullin kampion me këtë skuadër”.

Të ngjashme