Kimmich vendimtar në rrugëtimin e Bayernit drejt titullit

Prishtinë | 28 Maj 2020 | 15:24 | Nga Ekonomia Online

Goli i fitores i Joshua Kimmich në ndeshjen e Bayernit ndaj Borussia Dortmundit të martën, jo vetëm që ka mbajtur Bayernin në rrugën e duhur drejt titullit të kampionit, por po ashtu ka përkujtuar rëndësinë e mesfushorit në këtë sukses.

25-vjeçari, që realizoi gol të bukur me parabolë për ta dërguar Bayernin shtatë pikë para në krye të tabelës, do ta udhëheq Bayernin sërish të shtunën në ndeshjen ndaj Fortuna Duesseldorfit në formë.

Reprezentuesi i Gjermanisë i ishte bashkuar Bayernit në vitin 2015. Ai është bërë lider pas pensionimit të Philipp Lahmit dhe dështimit të Thomas Muellerit për të gjetur formën në edicionet e fundit.

“Zhvillimi i tij ka qenë i shkëlqyeshëm”, ka thënë trajneri Hansi Flick pas paraqitjes së Kimmichut të martën. “Ai ka luajtur në qendër të mbrojtjes dhe ne kemi vendosur ta avancojmë në mesfushë, pasi aty mund më mirë të shfrytëzoj forcën e tij. Ai lëviz shumë, stabilizon repartet, mund të sulmojë ndërkohë që përkrah mbrojtjen. Ai shtynë para bashkëlojtarët, është i fokusuar dhe ka mentalitet fituesi, jo vetëm në ekip dhe në stërvitje”, ka shtuar Flick.

I disiplinuar dhe i palodhshëm, Kimmich ka startuar në secilën ndeshje të Bayernit këtë edicion. Ka shënuar tri gola dhe ka përgatitur pesë. Ai ka vrapuar më shumë se çdo lojtar në Bundesligë, kur merret për bazë mesatarja për ndeshje.

Goli i tij në ndeshjen ndaj Dortmundit, të luajtur në stadiumin pa shikues, mund të ketë hapur derën që Bayerni të fitoi titullin e tetë rresht të Gjermanisë, që do të ishte rekord. Bayerni kishte fillim të vështirë të edicionit, para ardhjes së Flickut.

Edhe Duesseldorfi ka kthyer mbarë stinorin prej ardhjes së trajnerit Uwe Roesler në janar. Ka humbur vetëm një herë në nëntë ndeshjet e fundit.

Fortuna të mërkurën fitoi 2:1 ndaj Schalkes dhe është ngritur në vendin e 16-të.

“Me këtë përkushtim ne kemi mundësi të mëdha për të mbetur në elitë”, ka thënë Roesler.

Të ngjashme