Klopp e konfirmon: Henderson do të mungojë tri javë

Prishtinë | 21 Shk 2020 | 14:45 | Nga Ekonomia Online

Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, e ka konfirmuar se mesfushori dhe kapiteni Jorgan Henderson do të jetë jashtë fushës së lojës për tri javë, shkaku i një lëndimi muskulor.

Mesfushori anglez i bëri disa teste mjekësore pas përballjes së Liverpoolit me Atletico Madridit në mesjavë në ndeshjen e 1/8 të finales së Ligës së Kampionëve, që përfundoi me fitore 1:0 për madrilenët.

“Mund të kishte qenë edhe më keq. Ishte lëndim muskulor, por nuk është edhe aq keq. Ai do të jetë jashtë skuadrës për tri javë ose diçka e tillë. Nuk është një gjë e mirë, por ne prapëseprapë besojmë se ishim me fat në këtë rast”, ka thënë Klopp.

Henderson i ka bërë gjithsej 34 paraqitje për Liverpoolin këtë sezon dhe ka kontribuar në to me tri gola dhe gjashtë asiste.

Kapiteni i Liverpooli u zëvendësua afër fundit të ndeshjes të Ligës së Kampionëve kundër Atletico Madridit, pasi e pësoi këtë lëndim muskulor.

James Milner e zëvendësoi bashkëlojtarin e tij pas 80 minutave lojë, duke e lënë tani trajnerin Jurgen Klopp të mos jetë i sigurt nëse do t’i kthehet kapiteni në kohë për ndeshjen kthyese më 11 mars.

Kloppi do të shpresojë që Liverpooli ta rinisë ecurinë e fitoreve të hënën, kur Reds do ta vazhdojnë garën në Premierligë me ndeshjen në Anfield kundër West Hamit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme