Kloppi e kishte paralajmëruar Coutinhon për këtë që po i ndodh

Prishtinë | 08 Gus 2019 | 08:32 | Nga Ekonomia Online

Kanë kaluar më pak se dy vjet qëkur Philippe Coutinho u transferua nga Liverpooli te Barcelona, duke u bërë lojtari i dytë më i shtrenjtë në histori atëkohë.

Ai transferim prej 145 milionë funtesh i brazilianit te Barcelona ishte realizim i ëndrrës, njëherësh edhe një goditje në shpresat e Liverpoolit për të rimarrë vendin në mesin e elitës së Evropës, transmeton Koha Ditore shkrimin e Daily Mail.

Por tash, më pak se dy vjet që nga atëherë, Coutinho është sërish në treg. Ai ka refuzuar një ofertë të Tottenhamit, pasi Barcelona konfirmoi se do të lëshojë Coutinhon në huazim.

Coutinho ka fituar pesë trofe me gjigantin e La Ligas, ka shënuar 21 gola dhe asistuar 11 sosh në 76 ndeshje. Por Barcelona është e gatshme të lejojë kthimin e tij në Premier League.

Liverpooli është distancuar nga Coutinho. Nuk duhet kjo të merret se është çështje inati, por tregon se sa shumë është rritur klubi në mungesë të tij.

Trajnerit të Liverpoolit, Juergen Klopp do t’i falet nëse i thotë Coutinhos “të kam paralajmëruar”.

“Qëndro këtu dhe do të ndërtojnë një statujë në fund për nder tëndin”, i kishte thënë Klopp Coutinhos tetë muaj para se të largohej drejt Barcelonës. “Shko diku tjetër, te Barcelona, te Bayern Muencheni, te Real Madridi, dhe do të jesh thjesht një lojtar tjetër. Këtu mund të jesh diçka më tepër”.

Fjalët e tij janë si parashikuese dhe mund të shërbejnë si paralajmërim për lojtarët që joshen nga shkëlqimi më i madh dhe kuletat më të trasha. Por komentet e tij, po ashtu, tregonin se sa i rëndësishëm ishte bërë Coutinho te Liverpooli.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme