Klubet e basketbollit në Kosovë në telashe me shkëputje të kontratave, FIBA s’ka zgjidhje konkrete

Prishtinë | 07 Pri 2020 | 08:24 | Nga Ekonomia Online

Drejtuesit e klubit me më së shumti trofe të fituar në basketbollin e Kosovës, Sigal Prishtina, ka disa ditë që kanë nisur negociatat me basketbollistët e huaj për shkëputje të kontratave pas anulimit shkaku i koronavirusit të këtij edicioni nga Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK). Por, deri tash nuk ka arritur të gjejnë një zgjidhje me lojtarët.

E zgjidhjen dhe mirëkuptimin e tyre shpresojnë ta gjejnë në ditët në vijim. Dhe, në rast se nuk e arrijnë mirëkuptimin e lojtarëve, atëherë do t’i drejtohen për ndihmë edhe FBK-së, por edhe FIBA-s. Por, kjo e fundit ende nuk ka zgjidhje konkrete rreth situatës së kontratave me lojtarët e huaj nëpër klube të ndryshme të Evropës.

Federata Evropiane e Basketbollit (FIBA), në letrën e saj dërguar gjitha federatave të Evropës, përfshirë këtu edhe të Kosovës, ka kërkuar nga klubet, trajnerët, lojtarët dhe menaxherët e lojtarëve, të kenë mirëkuptim të ndërsjellë në zgjidhjen e kontratave.

Në letrën e gjatë të dërguar nga FIBA, gjithashtu bëhet e ditur se në rast të ndonjë mosmarrëveshjeje do të kërkohet edhe ndihma e ndonjë gjykate për të vendosur.

“Më 23 mars është bërë e ditur se tashmë FIBA ka marrë shumë kërkesa në lidhje me statusin e kontratave të punës në basketbollin profesionalist, dhe i ka inkurajuar klubet, lojtarët, trajnerët, menaxherët e lojtarëve të pranojnë këtë rrethane unike nëpër të cilën po kalojmë të gjithë dhe ta arrijnë një marrëveshje me lëshime të ndërsjella në masën që të jetë e pranueshme për të gjitha palët. FIBA ka thëne se një gjë e tillë është shumë e rëndësishme të bëhet, pra të arrihet një marrëveshje miqësore, para se të kërkohet ndihma në ndonjë gjykatë”, thuhet në njoftimin e FIBA-s, që u ka dërguar ditë më parë të gjitha federatave anëtare të saj.

Po ashtu, FIBA ka kërkuar nga federatat që të bëjnë lehtësime në diskutimet e tilla, në maksimumin e aftësive të tyre. FIBA, gjithashtu, ka njoftuar se rasti i parë në Gjykatën e Arbitrazhit (BAT), që ka të bëjë me virusin COVID-19, si “forcë madhore” do të trajtohet së shpejti dhe do të publikohet arsyetimi në faqen zyrtare të FIBA-s, në mënyrë që të sigurojë sa më shpejt të jetë e mundur udhëzime përkatëse për të gjitha palët e përfshira në basketbollin profesionist.

Edhe në FBK thonë se ende nuk kanë ndonjë zgjidhje konkrete, duke shtuar se do të presin udhëzimet nga FIBA.

“Ne si FBK kemi pranuar këtë letër nga FIBA, ku bëhet e ditur situata në të cilën jemi. Do të shohim se çfarë do të ndodhë, jemi duke pritur nga FIBA, për udhëzimet e mëtutjeshme”, deklaroi sekretarja e përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme