Klubet e pakënaqura i japin kohë FFK-së, nuk heqin dorë nga kërkesat e tyre

Prishtinë | 12 Shk 2020 | 09:20 | Nga Ekonomia Online

Një takim, që sipas Federatës së Futbollit të Kosovës ishte i zakonshëm, ka ulur në një tavolinë drejtuesit e saj dhe ata të klubeve të pakënaqura. Takimi i së martës mbrëma nuk ishte i hapur për media, por komunikatat e lëshuara tregojnë për përafrim të qëndrimeve të të dyja palëve.

Bojkoti, që ishte përmendur si opsion pas Kuvendit zgjedhor, më nuk është çështje për drejtuesit e klubeve që tani prioritet e kanë amendamentimin e statutit të FFK-së dhe përfshirjen e tyre në Komitetin Ekzekutiv të FFK-së.

Zhvillime të tjera priten në Kuvendin e Punës që do të mbahet më vonë gjatë vitit, pasi të pranohen sugjerimet nga UEFA dhe FIFA për rifreskim të Statutit. Në fakt komunikatat e lëshuara nuk janë plotësisht në një vijë dhe nuk prekin çështje të njëjta.

“Gjatë këtij takimi është diskutuar rreth përgatitjeve për fillim sa më të mbarë të stinorit pranveror, derisa janë dëgjuar edhe vërejtjet dhe kërkesat e klubeve. Drejtuesit e FFK-së dëgjuan edhe kërkesat e klubeve rreth vërejtjeve të paraqitura në Kuvend. Me këtë rast presidenti Agim Ademi dhe sekretari i përgjithshëm Eroll Salihu, i njoftuan përfaqësuesit e klubeve se Statuti i FFK-së së bashku me pjesën e kërkesave të përfaqësueseve të klubeve për amendamentim janë dorëzuar në UEFA dhe tashmë priten sugjerimet e UEFA-s dhe FIFA-s në lidhje me rifreskimin e Statutit. Pas arritjes së sugjerimeve nga Komisioni miks i UEFA-s dhe FIFA-s, ekspertët e FFK-së do të bëjnë amendamentimin e Statutit, si dhe do të bëhet edhe përgatitja e raporteve financiare dhe raporteve të tjera, dhe në kohën më të shpejtë të mundshme do të caktohet data e Kuvendit të Punës, ku delegatët do të votojnë për ndryshimet statutare”, ka njoftuar FFK-ja.

Të ngjashme