Klubet italiane refuzojnë të luajnë ndeshje evropiane gjatë vikendeve

775205473ML00040_FC_Interna
Prishtinë | 19 Mar 2020 | 21:42 | Nga Ekonomia Online

Klube të shumta të Serie A janë të gatshme që të votojnë kundër idesë për të luajtur ndeshje të Ligës së Kampionëve dhe të Ligës së Evropës gjatë vikendeve.

Një ide të tillë e ka dhënë UEFA, në tentim për të përfunduar garat evropiane të klubeve deri në fund të qershorit. Por klubet italiane e kanë prioritet që të përfundojnë kampionatin nacional, ka raportuar “Football-Italia”.

Të gjitha kampionatet e mëdha të futbollit janë pezulluar për shkak të koronavirusit, ndërsa synimet janë që Serie A të vazhdojë në fillim të majit.

Takime tjera do të mbahet ditëve në vazhdim, ku do të diskutohet për kalendarin, por raportimet e fundit bëjnë të ditur se plani për ndeshje evropiane gjatë vikendeve do të refuzohet.

Klubet italiane kërkojnë që të shtunën e të dielën të luajnë vetëm ndeshje të Serie A.

Presidenti i Federatës së Futbollit të Italisë, Gabriele Gravina, ka thënë të enjten se ideja fillestare është që kampionati të vazhdojë më 2 apo 3 maj, por kjo do të varet nga gjendja me Coronavirusin.

Plani është që kampionati italian të përfundoj më 30 qershor, ndonëse nuk përjashtohet mundësia që ndeshje të luhen edhe në korrik, nëse kjo është e nevojshme.

Aktualisht janë të pezulluara edhe të gjitha garat evropiane, që nuk dihet se kur do të vazhdojnë.

Të ngjashme