Klubi danez gjen zgjidhje për “tifozë në stadium”

Prishtinë | 11 Maj 2020 | 14:21 | Nga Ekonomia Online

Kampionati danez i futbollit po bëhet gati të rifillojë në fund të këtij muaji, ndonëse pa praninë e tifozëve në shkallët e stadiumit, si masë sigurie për të frenuar përhapjen e pandemisë Covid-19.

Megjithatë klubi i Aarhus ka gjetur një zgjidhje ideale për të mos i lënë vetëm lojtarët në fushë, pasi në bashkëpunim me platformën digjitale “Zoom” do të ndërtojë tribuna virtuale, me ekrane të mëdhenj.

Kështu tifozët do të jenë në një lidhje direkte me stadiumin ndërkohë që luhet ndeshja dhe mund ta ndjekin si të ishin aty prezentë, ndërsa edhe futbollistët mund të shohin fansat në ekranet e mëdha, madje të shijojnë edhe mbështetjen e tyre “online”.

Kjo zgjedhje vjen si një risi për futbollin në kohë pandemie, që duket se do të luhet për disa muaj me stadiume të mbyllura, ndaj ideja e klubit danez mund të gjejë shtrirje të gjerë edhe në stadiume të tjera europiane.

Kjo mund të rezultojë një gjetje ideale për të thyer sadopak ftohtësinë në stadiumet e boshatisura, pasi futbollistët mund të ndjejnë përkrahjen e tifozëve përkatës, ndonëse nga divani i shtëpisë dhe pa paguar biletë.


Të ngjashme