Klubi egjiptian transferon futbollistin 75-vjeçar

Prishtinë | 22 Jan 2020 | 11:03 | Nga Ekonomia Online

Klubi i nivelit të tretë të futbollit në Egjipt, 6th October, e ka konfirmuar transferimin e Ezz El-Din Bahader, i cili nënshkroi kontratë me klubin përkundër moshës së tij 75-vjeçare.

Nëse Ezz El-Din Bahader do të luajë në ndonjë ndeshje, ai do të bëhet futbollisti më i vjetër në histori – këtë rekord aktualisht e mban Isaak Hayik, transmeton Gazeta Express.

Hayik luajti në një ndeshje për klubin e nivelit të katërt të futbollit në Izrael, Ironi Or Yehuda, në prill të vitit të kaluar, në moshën 73-vjeçare. Bahader tani pritet t’ia thyejë këtë rekord, pasi që Federata e Futbollit e Egjiptit është shprehur entuziaste për t’u shkruar në librat e rekordeve.

“Sot, Federata e Futbollit e Egjiptit e ka regjistruar futbollistin profesionist më të vjetër në botë, gjatë afatit kalimtar të janarit. Ai është 75-vjeçari Ezz El-Din Bahader, i cili nënshkroi kontratë me 6th October, në ligën e tretë”, thuhet në postimin e Federatës egjiptiane.

“Ai është i përgatitur të hyjë në Enciklopedinë Botërore të Guiness për rekorde, përderisa po e fillon pjesëmarrjen në klub”.

Detajet e kontratës së Bahaderit me klubin egjiptian ende s’janë bërë të ditura, ndërsa edhe historiku i karrierës së tij si futbollist profesionist është i paqasshëm.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme