Klubi gjerman futet në karantinë vetëm një javë para rinisjes së kampionatit

Prishtinë | 10 Maj 2020 | 11:21 | Nga Ekonomia Online

Dynamo Dresden, që luan në ligën e dytë të futbollit në Gjermani, ka futur gjithë lojtarët dhe trajnerët në karantinë pasi dy futbollistë rezultuan pozitivë me koronavirus.

Bundesliga dhe Bundesliga 2 pritet të rinisin të shtunën e 16 majit duke u bërë ligat e para evropiane që do të nisin që nga mbyllja për shkak të koronavirusit.

Tani Dynamo është ankuar se për shkak të izolimit s’do të mund të luajë në oraret e caktuara.

“Fakti është se ne as nuk mund të ushtrojmë e as të luajmë ndeshje në 14 ditët e ardhshme”, ka njoftuar Dynamo. “Në javët e shkuara, kemi bërë përpjekje të mëdha për t’i implementuar të gjitha masat e rekomanduara. Jemi në kontakt me autoritetet shëndetësore dhe Ligën e Futbollit për të vendosur për hapat e mëtejmë”.

Të enjten, Federata e Futbollit e Gjermanisë ka thënë se sezoni do të vazhdojë nën protokollet strikte të shëndetësisë, duke mos lejuar fansa në stadium e duke testuar të gjithë futbollistët. Rreth 300 njerëz, përfshirë futbollistë, staf e zyrtarë, do të jenë nëpër stadiume gjatë lojërave.

Liga ka qenë e suspenduar nga 13 marsi. Klubet janë rikthyer në ushtrime në mes të prillit.

Dresdeni ishte paraparë të vazhdonte sezonin nga 17 maji në një ndeshje me Hannover 96.

Të ngjashme