Klubi i Prishtinës probleme me vizat për ndeshjen kualifikuese të Europa Ligës

Prishtinë | 06 Kor 2018 | 12:18 | Nga

Klubi i Prishtinës ka njoftuar se është duke hasur në probleme me pajisjen e vizave për ndeshjen kualifikuese të Europa Ligës që e zhvillon ndaj Fola Esch të Luksemburgut.

Me kërkesë nga shteti i Luksemburgut, futbollistët e Prishtinës duhet të aplikojnë për vizë në Ambasadën e Zvicrës që është fajësuar për vonesat dhe rrezikimin e anulimit të ndeshjes shkaku i vizave.

“Fitorja e mbrëmshme, përveç kualifikimit historik, ka gëzuar loja e përkryer dhe rezultati i thellë. Por, ende pa u zgjuar mirë, ende pa e shijuar fitoren e mbrëmshme, klubi është dashur të aplikoj për viza në Ambasadën e Zvicrës të caktuar nga Luksemburgu. Por, Ambasada është duke shkaktuar probleme dhe skuadra rrezikon të mos jetë e kompletuar apo edhe t’i pamundësohet udhëtimi për Luksemburg”, thuhet në reagimin e Prishtinës.

“Është mëkat i madh, në vend që futbollistët të jenë duke e shijuar fitoren, përveç që duhet qëndruar nëpër ambasada, ata po përballen gati edhe në diskriminim, sidomos me lojtarët nga Kontinenti i Afrikës”, thuhet në reagim.

Futbollistët që kanë udhëtuar vitin e kaluar në Suedi në ndeshjen me Norrkopingun dhe tash në Gjibraltar të pajisur me viza britanike dhe me dokumentacion të rregullt u thuhet të presin për verifikim më të hollësishëm që merr kohë, ndërsa skuadra udhëton të hënën.

“Përndryshe, skuadra kishte sot seancë stërvitore nga ora 10:00, por që ishte e çrregullt mu përshkak aplikimit në Ambasadë. Por, nga nesër ekipi do të jetë komplet dhe mund të llogarisim edhe në Armend Thaqin e Leotrim Bekteshin ku do të vazhdojnë përgatitjet intensive për raundin e parë të UEFA Evropa Ligës”, thuhet në reagimin e klubit.

Ndeshja me Fola Esche të Luksemburgut zhvillohet të mërkurën më 11 korrik nga ora 18:00.

Të ngjashme