Koeman i vendosur t’ia kthejë namin Holandës

Prishtinë | 05 Qer 2019 | 09:29 | Nga Ekonomia Online

Thellë në një fshat ku gjendet qendra e re stërvitore e Federatës së Futbollit të Holandës, Ronald Koeman po qëndron ulur në zyrën e tij dhe ka veshur një fanellë ngjyrë portokalli. Për njeriun e ngarkuar me rikthimin e famës së Përfaqësueses së Holandës pas disa viteve të zymta, presioni është i madh. Megjithatë, Koeman nuk i frikësohet kësaj sfide dhe me krenari flet në zyrat e qendrës stërvitore që ka kushtuar 15 milionë euro dhe gjendet në Zeist, provincë e qytetit të Utrechtit.

“Çdo të hënë dhe të martë, unë jam këtu për të dhënë intervista. Kur i përfundoj ato, planifikoj dhe analizoj kundërshtaret derisa ditët e tjera të javës udhëtoj t’i shoh futbollistët dhe ndeshjet”, zbulon Koeman. “Një herë në javë mund të luaj golf. Para dy javëve jam bërë gjysh, por nuk kam pasur kohë t’i përkushtohem shumë familjes për shkak të orarit të ngjeshur që kam”, shkruan sot Koha Ditore.

Koeman 56-vjeçar po e bën gati ekipin për gjysmëfinalen e Ligës së Kombeve. Holanda të enjten do të përballet me Anglinë, pasi në fazën e grupeve të kësaj lige përfundoi e para, duke lënë pas vetes Francën dhe Gjermaninë. Për Holandën ky është një sukses i madh, duke pasur parasysh se prej vitit 2014 nuk ka arritur të kualifikohet në asnjë turne të madh. Te Holanda ka optimizëm të madh në prag të kësaj ndeshjeje, pasi është krijuar një gjeneratë e re e lojtarëve që garanton suksesin. Dëshmia më e mirë është ekipi i Ajaxit që edicionin e fundit me lojtarë të rinj arriti deri në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, duke eliminuar ekipet si Real Madrid e Juventus.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme